Kremlini akuzon Kievin se tentoi të vrasë në orët e para të kësaj të Mërkure, presidentin rus Vladimir Putin. Dy dronë u rrëzuan nga ushtria dhe shërbimet e sigurisë së Kremlinit, thuhet në një deklaratë të presidencës së Rusisë. Ky filmim tregon momentin kur njëri nga dronët që i afrohet ndërtesës presidenciale, qëllohet në kohë dhe shkatërrohet nga sistemi elektronik i radarëve.
Në deklaratën e Kremlinit thuhet se presidenti rus nuk ndodhej në ndërtesë në momentin e afrimit të dronëve. Pallati i dikurshëm i Carit shërben edhe si rezidencë për presidentin rus.
Akuzat për këtë sulm u drejtuan ndaj Kievit, por Presidenti Volodimir Zelenski gjatë një vizite në Helsinki u tha gazetarëve se Ukraina nuk ka gisht me ngjarjen.
“Ne nuk e sulmuam Putinin. Ne ia lëmë gjykatës. Ne luftojmë në territorin tonë, ne po mbrojmë fshatrat dhe qytetet tona”.
Në fund të Prillit, gazeta gjermane Bild hodhi dyshime se një tjetër dron ukrainas i ngarkuar 17 kilogramë eksploziv, u rrëzua në afërsi të Moskës dhe kishte në plan për të vrarë Presidentin rus. Frika e sulmeve me dronë ka vënë në alarm autoritetet ruse, në prag edhe të Paradës së 9 Majit të triumfit mbi nazizmin.