Kur Partia Socialiste shpalli kandidatin e saj për Bashkinë e Krujës, që përfshin edhe Fushë Krujën me Thumanën, kreu i opozitës Lulzim Basha gjendej në këmbët e kalasë së Krujës.
Siç përshkruhej situata nga banorët, që zoti Basha i takoi rastësisht në rrugë apo pranë bizneseve të tyre, gjithçka dukej se po ecte keq në qytetin historik, ku papunësia, taksat dhe faturat e energjisë, sipas banorëve kanë pësuar vetëm rritje.
Dikush, duke u ankuar për papunësi dhe mbyllje dyersh nga autoritetet për të zgjidhur një problem të rëndë shëndetësor, përmendi sipas mënyrës së tij edhe çështjen e kriminalitetit, diçka që nuk mund t’i shpëtonte kreut të opozitës.
Sipas Lulzim Bashës, kryeministri Edi Rama ka kandiduar në Krujë deputetin e vet me të kaluar kriminale.
“Sapo caktuan zotin Kokaina për kandidat. Ai do t’i përmirësojë punët. Ata duan të vijnë prap më 21 Qershor këtu, ndërkohë që i kanë hesapet e hapura me drejtësinë italiane. Mjafton të fusësh emrin e Artur Bushit në Google rezulton një aferë korruptive e kriminale, sepse është i lidhur me trafikun e drogës, ndërsa korruptive, sepse do t’i dalin petët lakrorit shumë shpejt”, tha Basha.
Gjatë javëve të fundit, kryetari i Partisë Demokratike ka folur për një ofertë të re qeverisjeje të opozitës dhe nga Kruja, zoti Basha zbuloi pikat e para të programit.
“Të gjejmë zgjidhjet me dhe për ju. Për faljen pa dallim të kamatëvonesave abuzive dhe faturave aforfe për krutanët, e gjithë qytetarët e tjerë të vendit, që kanë rënë prè e këtij instrumenti të poshtër, të ulët të nënshtrimit ekonomik, në këtë kohë të vështirë krize. Për uljen e taksave”, u shpreh Basha.
Partia Demokratike, ende nuk ka shpallur kandidatët e saj për zgjedhjet lokale, por zoti Basha vendosi tre kushte paraprake për secilin nga kandidatët, që do të firmosë kontratën me qytetarët e vet.
“E para, të mos ketë rekorde kriminale. Nuk pranon ky popull të udhëhiqet nga kriminelë, nuk pranon Kruja të udhëhiqet nga kriminelë. E dyta, të zotohet se asnjë taksë nuk do të rrisë në 4 vjet, të gjitha taksat do i ulë në maksimumin që lejon ligji. E treta dhe më e rëndësishmja, të zotohet që dera e tij apo e saj do të jetë e hapur 24 orë për qytetarët, hallet e problemet e tyre. Këtë fjalë e jap sot dhe do ta mbaj për të gjithë kandidatët e zgjedhjeve të ardhshme të 21 Qershorit”, theksoi Basha.
Situata nuk ndryshonte aspak në Fushë Krujë, madje aty, përveç papunësisë e rënies së konsumit, shtohej edhe pasiguria për rendin.