Është konsideruar si njeriu që po i jep fund dominimit në politikën turke të Recep Tayyip Erdoganit. Ekrem Imamoglu, kryebashkiaku i ri i Stambollit i drejtoi presidentin turk një mesazh, vetëm pak ditë pasi u konfirmua në krye të qytetit më të populluar të Turqisë.
“23 Qershori na tregoi se askush, asnjë individ apo pushtet nuk mund të dalë mbi vullnetin e popullit. Asnjë politikan nuk ka luksin për t’a injoruar këtë fakt”.
Duke folur për CNN, në të parën intervistë për mediat botërore pas fitores, Imamoglu tha se një ndër shkaqet që partia në pushtet humbi në Stamboll, ishte se Erdogan ishte përqendruar së tepërmi tek interesat e tij politike. Imamoglu i shtriu atij dorën e bashkëpunimit.
“T’i shërbesh një qyteti nuk do të thotë të kufizohesh vetëm brenda interesave të një partie politike. Erdoani do të qëndrojë edhe 4 vite të tjera në pushtet, ne edhe 5. Le ta kthejmë garën tonë në të mirë të qytetarëve pasi në të kundërtën asnjë prej nesh nuk do të ketë të ardhme”.
Kryebashkiaku i ri i Stambollit është konsideruar nga mediat botërore si një yll në ngritje në politikën turke dhe që në të ardhmen mund të përzgjidhet për të konkurruar për poste më të larta shtetërore, ndoshta edhe përballë Erdoganit. Në zgjedhjet e fundit lokale, partia e presidentit humbi në të gjitha qytetet e mëdha.