Ai paralajmëron se sfida më e madhe me të cilën përballet bota vjen nga Kina.
Ukraina rrezikon të shembet nën agresionin e Rusisë pa mbështetjen e SHBA-së, një fatkeqësi që mund të forcojë Kinën dhe të ndezë një krizë të re në Azinë Lindore.
Në fjalimin e parë në një takim të përbashkët të Kongresit të SHBA kryeministri japonez u kërkoi ligjvënësve amerikanë të mbështesë Ukrainën nën dritën e sulmeve intensive në mënyrë që fitorja të mos shkojë në duart e Putin.
Kryeministri i Japonisë, Fumio Kishida: Dua t’u drejtohem atyre amerikanëve që ndiejnë vetminë dhe rraskapitjen e të qenit vendi i vetëm që ka mbështetur rendin ndërkombëtar pothuajse vetëm. E kuptoj që është një barrë e rëndë të mbash mbi supe shpresa të tilla. Edhe pse bota shikon nga lidershipi juaj, nuk duhet pritur që SHBA t’i bëjë të gjitha, të pandihmuara nga askush. Udhëheqja e Shteteve të Bashkuara, është e domosdoshme. Pa mbështetjen e SHBA-së, shpresat e Ukrainës do të shemben nën sulmin nga Moska.
Ai paralajmëroi gjithashtu për programin bërthamor të Koresë së Veriut dhe eksportet e raketave që mbështesin luftën e Rusisë në Ukrainë. Por sfida më e madhe me të cilën përballet bota vjen nga Kina.
Kryeministri i Japonisë, Fumio Kishida: Qëndrimi aktual i jashtëm i Kinës dhe veprimet ushtarake paraqesin sfidën e paprecedentë dhe më të madhe strategjike, jo vetëm për paqen dhe sigurinë, paqen dhe stabilitetin e komunitetit ndërkombëtar në përgjithësi. Lufta e padrejtë dhe brutale e Rusisë kundër Ukrainës ka hyrë në vitin e tretë. Siç them shpesh, Ukraina e sotme mund të jetë Azia Lindore e së nesërmes.
Mes të tjerash Kishida u shpreh se bota ishte në një pikë kthese historike, me lirinë dhe demokracinë nën kërcënim, vendet në zhvillim që mbajnë më shumë fuqi ekonomike dhe ndryshimet klimatike dhe përparimet e shpejta në inteligjencën artificiale që dëmtojnë jetën e njerëzve.
Kërkesa e presidentit Joe Biden për një paketë ndihme ushtarake prej 60 miliardë dollarësh për Ukrainën ka ngecur për javë të tëra ndërsa shpresat rriten për një miratim më të shpejtë.