“Britania është e angazhuar për të bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara dhe me koalicionin që ata udhëheqin në luftën ndaj “kalifatit” të ngritur nga militantët e Shtetit Islamik në Irak dhe në Siri”, ka thë në kryeministri britanik.
Në një intervistë dhënë për rrjetin televiziv amerikan “NBC”, David Cameron tha se ai donte që Mbretëria e Bashkuar të bënte më shumë në këtë luftë, por më parë “duhet marrë miratimi i Parlamentit”. Dy vite më parë Parlamenti britanik votoi kundër ndërhyrjes ushtarake në Irak.
Mësohet se Cameron do të mbajë një fjalim ditën e hënë për t’u bërë thirrje të rinjve që të mos joshen për t’u bashkuar me ISIS.
“Nëse ju jeni djalë, ata do t’ju vendosin bomba në trup dhe ju do të ndaheni nga kjo botë. Nëse jeni një vajzë, ata do t’ju skllavërojnë dhe abuzojnë me ju”, mendohet të jetë një pjesë nga fjalimi i Cameron, shkruan BBC-ja.
Duke folur për rolin e mundshëm të Britanisë në luftën ndaj ISIS, Cameron tha për “NBC”: “Ne po diskutojmë për këtë çështje edhe me partitë opozitare në Britani. Nuk duhet të ketë asnjë dyshim, ne jemi të përkushtuar për të punuar me koalicionin në luftën për shkatërrimin e kalifatit të ndërtuar në dy shtete”.
Pavarësisht votimit të Parlamentit britanik dy vite më parë, për të mos marrë pjesë në këtë luftë, BBC-së shkroi dy ditë më parë se avionët e forcave ajrore britanike kanë kryer sulme në Siri kundër militantëve të Shtetit Islamik. Një personel prej 20 vetësh, përfshirë tre pilotë, janë bashkuar me forcat amerikane, kanadeze dhe ato franceze.
Ndërkohë, edhe sekretari britanik i Mbrojtjes u ka bërë thirrje së fundmi anëtarëve të Parlamentit që të mbështesin përfshirjen e Mbretërisë së Bashkuar në Siri.