Kryeministri i Libanit, Najib Mikati tha se Izraeli planifikon që me sulme të shkatërrojë fshatrat dhe qytezat e Libanit dhe të eliminojë të gjitha zonat e gjelbra
Kryeministri i Libanit, Najib Mikati tha se Izraeli planifikon që me sulme të shkatërrojë fshatrat dhe qytezat e Libanit dhe të eliminojë të gjitha zonat e gjelbra, transmeton Anadolu.
Sipas një deklarate me shkrim nga Zyra e kryeministrisë libaneze, kryeministri Mikati në mbledhjen e Këshillit të Ministrave në kryeqytetin Bejrut, dha deklaratë lidhur me zhvillimet e fundit.
Duke rikujtuar shqetësimin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres për kthimin e jugut të Libanit në një Gaza të dytë, Mikati tha se duhet të zbatohet rezoluta nr. 2735 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së i cili parashikon armëpushim në Gaza dhe problemi izraelito-palestinez duhet të zgjidhet në kuadër të zgjidhjes me dy shtete.
Pasi tërhoqi vëmendjen ndaj sulmeve të Izraelit që vazhdojnë ndaj Libanit, Mikati tha: “Këto sulme të Izraelit, me kuptimin e plotë janë luftë gjenocidale kundër Libanit. Me sulme, Izraeli planifikon të shkatërrojë fshatrat dhe qytezat e Libanit dhe të eliminojë të gjitha zonat e gjelbra”.
Ai theksoi se në të gjitha takimet e tyre, ata i kanë bërë thirrje OKB-së, KS-OKB-së dhe shteteve aktive që të “qëndrojnë me atë që është i drejtë dhe të ndalojnë sulmet”, ndërsa vuri në dukje se Libani është i përkushtuar ndaj rezolutës 1701 të OKB-së.
Ushtria izraelite njoftoi se ka nisur dy sulme ajrore të veçanta në Liban sot në mëngjes. Sulmet kanë shënjestruar disa rajone në jug dhe lindje të Libanit. Ushtria tha se që nga mëngjesi e deri më tani janë kryer sulme ajrore ndaj më shumë se 300 “objektivave” në jug dhe lindje të Libanit.(AA)