Kryeministri i Hugarisë Viktor Orban pretendoi të premten se udhëheqës të Bashkimit Europian synojnë të “rrëzojnë” qeverinë e tij.
“Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen dhe Manfred Weber, Presidenti i Partive Popullore Europiane kanë njoftuar se kërkojnë të përmbysin qeverinë hungareze. Ata kanë deklaruar se duan një qeveri tjetër. Ata po ashtu janë shprehur se kush duhet të qeverisë në të ardhmen, si të thuash, një qeveri miqësore me Brukselin, sepse kjo qeveri sovrane nuk është e mirë për ta. Ata e kanë deklaruar hapur. Këtë gjë e kam ditur prej kohësh. Nuk duhet të jesh fitues i Nobelit për ta kuptuar”, tha ai duke folur të premten për median shtetërore hungareze.
Kryeministri hungarez po përballet me izolim në rritje nga Bashkimi Europian për shkak të qëndrimit të tij mbi luftën në Ukrainë dhe akuzave se gjatë udhëheqjes së tij 14 vjeçare, qeveria në mënyrë të vazhdueshme ka kufizuar parimet dhe të drejtat që garantojnë një shtet demokratik.
“Brukseli kërkon të delegojë një socialist dhe një anëtar të Partive Popullore në qeverinë e ardhshme hungareze, që do të mbështeste objektivat më të rëndësishme të Brukselit, që janë shkaku i konflikteve tani”, tha Orban.
Kryeministri Orban prej kohësh ka patur mosmarrëveshje me BE-në për shkak të asaj që blloku europian e sheh si kufizim të të drejtave demokratike në Hungari dhe ai është kritikuar përherë e më shumë për marrëdhëniet e ngushta me autokracitë si Rusia dhe Kina.
Dy vjet më parë, Parlamenti Europian deklaroi se Hungaria nën drejtimin e Viktor Orbanit ishte kthyer në “një regjim hibrid të autokracisë zgjedhore”, duke e nxjerrë nga komuniteti i demokracive./VOA