Morawiecki ka deklaruar se Rusia dëshiron të përçajë Bashkimin Europian
Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki, ka deklaruar se aleatët e NATO-s “duhet të zgjohen” përballë përpjekjeve ruse për të destabilizuar rajonin.
Në një intervistë për “BBC”-në, Kryeministri polak u shpreh se ngjarjet e fundit tregojnë se Kremlini dhe aleatët e tij duan “ta ndryshojnë sistemin gjeopolitik” dhe “ta përçajnë Bashkimin Europian”. Ai renditi disa çështje ku përmendi rritjen e pranisë ruse pranë kufirit me Ukrainën, çmimet e gazit dhe krizën e emigrantëve .
Morawiecki tha se “nuk është tepër vonë për të vepruar”, por shtoi se mund të jetë vonë pas disa muajsh. “Gjëra të këqija mund të ndodhin në Ukrainë, për shembull mund të ketë një problem tjetër të madh me emigracionin në të gjithë Europën”, tha Morawiecki.
Ai tha se beson se “autor” i krizës së emigrantëve është udhëheqësi i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, por, sipas tij, “ai e ka sponsorin, drejtorin e tij” në Kremlin – duke iu referuar kështu Presidentit rus, Vladimir Putin.
Kryeministri polak tha për “BBC” se, pavarësisht mosmarrëveshjeve me Bashkimin Europian, thashethemet për largimin e Polonisë nga blloku, i njohur si Polexit, janë të pavërteta.
Ministrat e Jashtëm të NATO-s, përfshirë Sekretarin amerikan të Shtetit, Anthony Blinken, pritet të takohen në Riga të Letonisë për bisedime.