Një përkujtim dhe respekt për të shkuarën, por dhe një thirrje e frymëzim për të tashmen dhe të ardhmen.
Me këtë ndërthurje mesazhesh, Kryeministri Edi Rama u shpreh se29 nëntori i këtij viti është edhe me reflektues se 29 nëntorët e mëparshëm.
“Parafytyrimet që ushqen 29 nëntori i sotëm janë më të gjalla se të shumë 29 nëntorëve të shkuar. Pikërisht sepse sot ne ndjehemi të kërcënuar haptazi nga diçka fort e ngjashme, edhe më e errët sesa nazizmi, në formën e vet të organizmit dhe të shfaqjes nëpër trupin e botës së lirë. Prandaj dhe sot 29 nëntori duket ende më i çmuar, më frymëzues, më inkurajues, sesa ç’mund të na jetë dukur kur armiku i njerëzimit nuk ishte shfaqur ende me të gjithë egërsinë vrastare të vetëm dy javëve më parë”, u shpreh Kryeministri.
Duke u ndalur tek përkujtimi i atyre që humbën jetën për çlirimin e Shqipërisë, Rama theksoi se sot ata shërbejnë dhe si një thirrje për të luftuar armikun e ri.
“Mirënjohje për dëshmorët e luftës antifashiste nacionalçlirimtare, ne e kemi shprehur në çdo 29 nëntor, por mirënjohja e sotme është ende më e thellë. Sot, 29 nëntori nuk na e përçon vetëm ndjenjën e krenarisë dhe të respektit, për ç’ka ata bënë si shqiptarë duke çliruar dhe nderuar Shqipërinë, por dhe kurajën dhe forcën e shembullit që na nevojitet për të përballuar armikun e ri të jetës sonë prej njerëzish të lirë. Njësoj si atëherë kur mostra naziste u shfaq si gjer në dhëmb në rrugën e qytetërimit tonë edhe sot kur një tjetër forcë është shfaqur e armatosur me përçmimin më ekstrem të njeriut për vetveten. Sfida e këtij qytetërimi që i përkasim është të fitojë luftën pa humbur paqen”, tha Kryeministri Rama.
Në pritjen e mbajtur në ambientet e Kryeministrisë me rastin e 71-vjetorit të çlirimit ishin të pranishëm përfaqësues të lartë të politikës, diplomatë të akredituar në Shqipëri si dhe shumë figura të njohura në vend.