Në takimin i cili do të mbahet në Pallatin e Brigadave do të jenë vetëm ata që do të ulen në karrigen e deputetit për legjislaturën e re parlamentare por edhe ata që nuk do të jenë më pjesë e grupit parlamentar socialist.
Si edhe në mbledhjen e fundit të qeverisë, Edi Rama do të ketë vëmendjen kryesore te një analizë e përmbushjes së objektivave përgjatë mandatit të dyte dhe synimet për katër vitet e ardhshme ose siç kryeministri thotë, reformat që do të ndërmerren për “Shqipërinë e 2030-ës”.
Një analizë më të reduktuar kryeministri e bëri edhe në mbledhjen e fundit të qeverisë të Mërkurën. Në vlerësimet që ai bëri për ministrat e tij, duket sikur disa prej tyre, si Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu apo e Evropës dhe Punëve të Jashtme Olta Xhaçka mund të jene ende pjesë e kabinetit qeveritar “Rama 3” në të njëjtat detyra ose në të tjera.
Me kritik ishte me ministrat e ekonomisë Anila Denaj, arsimit Evis Kushi, turizimit, Blendi Klosi dhe i Punëve të Brendshme, Bledi Çuçi. Edi Rama u artikulua i pakënaqur që nga mosmenaxhimi i mbeturinave në zonat turistike apo performanca e dobët e policisë në luftën kundër krimit.
Si objektiva të parë për mandatin e tretë qeverisës, kryeministri përcaktoi rikthimin e sa më shumë shqiptarëve në atdhe, forcimin e uniformave blu në përballjen me krimin, funksionin e procesit të fiskalizimit për të rritur të ardhurat në buxhet nga biznesit apo në politikën e jashtme, çuarjen përpara të nismës “Ballkani i Hapur” me gjithë refuzimin e Kosovës.
Se kush do të jenë emrat që do të përmbushin synimet e renditura deri më tani nga Edi Rama, mbetet te pritet shpallja e qeverisë së re, që si edhe në dy kabinetet e kaluara, Rama një dhe dy, nuk kanë munguar emrat surprizë.
Kujtojmë së takimin e parë që kryeministri pati me ministrat, deputetët e sapo zgjedhur dhe ata jo, deklaroi se ai që nuk i ka përmbushur objektivat, jo vetëm në realizimin e reformave por edhe të votave të mbledhura për Partinë Socialiste do t’i duhet të largohet për t’ia lënë vendin atij që e realizoi angazhimin e tij.