Kumanova, sot varrimi i ish-luftëtarit të UÇK-së, Beg Rizaj

Ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Beg Rizaj, i cili u vra në ngjarjet e fundit në Kumanovë të Maqedonisë, do të varroset këtë të diel në orën 16:00, në varrezat e Dëshmorëve, në Gllogjan të Deçanit.
Drejtori i Departamentit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, Arsim Gërxhaliu tha përmes telefonit për Top Channel se, trupi i pajetë i Rizajt është tërhequr nga familjarët rreth orës 9 të mëngjesit të dielën, pasi është përfunduar autopsia.

Ceremonia e varrimit të Rizajt, i cili mori pjesë në tri lufta; atë të Kosovës, në Luginën e Preshevës, si dhe në Maqedoni më 2001-shin; do të fillojë me homazhe pranë arkivolit në hollin e Pallatit të Kulturës “Jusuf Gërvalla” në Deçan, në orën 12:00.

Në orën 14:00 mbahet tubim mortor në sheshin e Deçanit; në orën 15:00 bëhet nisja e kortezhit funeral nga qendra e Deçanit për në Kompleksin Memorial në Gllogjan, ndërsa në orën 16:00 bëhet ceremonia e varrimit në kompleksin memorial të Dëshmorëve të Kombit, në Gllogjan.

Trupat e pajetë të 8 kosovarëve të tjerë, që ndodhen në Departamentin e Mjekësisë Ligjore për autopsinë e dytë, sipas doktorit Arsim Gërxhaliu do të dorëzohen te familjarët të martën, ditë kur edhe pritet të dërgohen për në banesën e fundit, në varrezat e Dëshmorëve në Prishtinë.

 

Leave a Reply