Mali i Zi vendos afat 18 majin
Këta të rinj në zonën e Currilave në Durrës nuk rezistuan dhe e thyen rregullin. Ata u futën në det, në një plazh privat, edhe pse autoritetet e kanë ndaluar për shkak të pandemisë.
Policia po patrullon dhe ndërhyn në çdo rast të thyerjes së rregullit, por duket e pamundur që të kontrollojë 316 kilometra vijë bregdetare që ka vendi ynë. Ngrohja e motit do ta bëjë detin akoma më të parezistueshem.
Plazhet janë mbyllur edhe në vendet e rajonit, siç janë Greqia, Italia, Mali i Zi e Kroacia.
Vetëm qeveria e Malit të Zi ka përcaktuar një datë kur mund t’i hapë plazhet për pushuesit. Më 18 maj gjithkush mund të shkojë në det, por nën masa të rrepta higjene.
Greqia, Italia e Kroacia po vazhdojnë t’i mbajnë plazhet mbyllur dhe nuk kanë vendosur afat. Fillimi i qershorit është me i mundshmi. Në Kroaci e Itali plazhet po ruhen me dron.
Kryeministri i Italisë Giuseppe Conte la të hapur mundësinë që me fazën e tretë të lehtësimit të masave, që nis më 4 maj, do të shqyrtohet hapja e plazheve në qershor si afati më i afërt.
Operatorët turistikë po shqyrtojnë mundësinë e çadrave dhe shezllonëve të rrethuar me xhama plastikë me lartësi 2 metra e deri 4.5 metra gjerësi e gjatësi, një variant që është përfolur edhe për Shqipërinë, por që nuk është zyrtar.
Në Shqipëri autoritetet thanë se do të vendosin për hapjen e plazheve në varësi të ecurisë së pandemisë. Ndërsa operatorët turistikë kërkojnë një plan të qartë për t’u përgatitur.
Turizmi në vendin tonë zë afro 20 përqind të prodhimit të brendshëm bruto dhe pandemia parashikohet t’i sjellë dëme të mëdha këtij sektori dhe ekonomisë në tërësi.