Midis nesh
Në fillimet e demokracisë pati edhe nisma të çuditshme, por edhe përpjekje absurde për të arritur si e si te leku. Ishte kohë konfuzionesh, mbase një kohë që e përshkoi një lloj anarkie, e cila bëri zhvendosjen e vlerave shpirtërore, duke i zëvendësuar ato herë – herë edhe me ca instinkte kafshërie.
Ishte një kohë që vetvetiu imponoi kurse të ndryshme, të cilat i diktonin jo vetëm rrethanat, por edhe zhvillimi i hovshëm i teknologjisë. Fituan ata që hapën kurse të gjuhëve, për informatikë, për matematikë dhe shumë kurse tjera që profilizonin zeje të ndryshme.
Në një atmosferë të tillë pati edhe disa dallkaukë që kishin menduare të hapin kurse edhe për poezi, pra të mësuarit e “zejes së poezisë”. Shpikjet e këtilla, mbase jo befasuese për shoqërinë shqiptare, natyrisht se ishin të dhimbshme, sepse i takonin rrafshit të absurditetit.
Pavarësisht dështimit të këtyre përpjekjeve, duhet thënë se poezia nuk është zeje që mësohet në kurse, duke kaluar prej një niveli në nivelin tjetër, por diçka krejtësisht tjetër. Është gjini letrare, e cila në shkollat tona mësohet në kuadër të lëndës së letërsisë shqiptare dhe në mënyrë më të detajuar në kuadër të studimeve të gjuhës dhe letërsisë shqiptare. Pra, si gjini letrare e jo si “zeja letrare”. Prandaj, për të arritur deri poezia (të shkruarit) nevojitet, mbi të gjitha shumë punë dhe shumë lexim, duhet zbuluar së pari vetveten, brendinë e shpirtit, aty ku fshihet magjia e fjalës.
Pastaj ndodhi mbivlerësimi pa u shikuar në pasqyrë. Sakaq, brenda natës “tregu” ynë u mbush me poetë, duke u shndërruar në një trend që më shumë dëmtoi se sa solli ndonjë dobi. Duke lëvizur jashtë binarëve ku funksionin rendi dhe parametrat tjera të logjikshme, përjetuam një “bombardim” me botime nga më të ndryshmet që, fatkeqësisht, bukur shumë e kontaminuan ambientin tonë letrar nga sasia pa cilësi.
Porta e së keqes në këtë drejtim u hap kur u tërhoq dhe u zhduk kritika, e cila si obligim parësor, përmes mekanizmave të vet, duhet të kishte ndarjen e shapit prej sheqerit dhe kur në ambientin letrar këmbëkryq u ul hipokrizia, e cila bëri që (për interesa të ndryshme, përfshi edhe ato perverse) secili “botim të jetë më i mirë se tjetri”, që në sipërfaqe të dalin shumë “talent”, mbase pati edhe nga ata që “kishin qenë të stisur” nga regjimi, ndaj dhe ishin “talent të vonshëm”, që të shtohet në mënyrë ekstreme numri i botuesve…
Meqë dëmi ka lëshuar rrënjë, atëherë më pak të dëmshëm ndoshta do të kishin qenë edhe “kurset” për poezi, së paku “kursistët poetë” do të kishin qenë të detyruar të lexojnë ndonjë libër të “mentorëve” të tyre, e jo si këta që nuk e dinë as vetë çka shkruajnë, por që mendojnë se janë poetë dhe që nuk janë të ngjashëm as me ata që shkruajnë e vajtojnë për dashuritë e dështuara…
Në fakt, një kurs (që është vështirë të emërohet), gjatë gjithë kësaj kohe do të ketë funksionuar, një kurs për…
Po pse s’patëm kurse për tregim, roman, dramë..?
/HEJZA/