Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se kanë qëndrime të ndryshme me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, për të cilin thotë se nuk i di motivet se përse nuk guxon ta thotë të vërteten për presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Deklaratave të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ku e quan kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin të paaftë në luftën diplomatike të Kosovës ndaj shtetit të Serbisë, iu ka përgjigjur ky i fundit.
Kurti në një konferencë për medie ka thënë se me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, ka kohë që nuk kanë qëndrime të njëjta, dhe kjo pasi që Edi Rama nuk guxon ta thotë të vërtetën sa i përketë presidentit të Serbisë.
Ai thotë se Kosova dhe Shqipëria nuk mund të bashkohet si komb gjera kemi qëndrime të ndryshme ndaj Serbisë. Sipas tij, këto dy shtete nuk e kanë luksin që të dallojnë me qëndrime sa i përketë Beogradit.
“Ka kohë që me kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, zotri Edi Ramën ne nuk kemi të njëjtin qëndrim sa i përketë presidentit të Serbisë, kjo është një pikë e rëndësishme që ne dallojmë fort. Fatkeqësisht kryeministri i Shqipërisë nuk guxon ta thotë të vërteten për presidentin e Serbisë, për çfarë motivesh dhe arsyesh, unë nuk jam në gjendje ta them. Ne duhet të bashkohemi për luftën çlirimtare, për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, por edhe kundër Serbisë e cila është kundër nesh. Nuk do të mund të bashkohemi si komb, nuk do të mund të bashkëpunojmë si shtete me qëndrime të ndryshme karshi Serbisë. Kosova dhe Shqipëria nuk e kanë jo vetëm luksin por as të drejtën që të dallojmë sa i përketë Beogradi”, ka thënë Kurti.
Kurti thotë se këto dallime vijnë si pasojë e qëndrimeve që ka kryeministri Rama ndaj presidentit të Serbisë, ku krimet e Serbisë mundohet t’i lokalizojë në figurën e Millosheviqit.
Ndërsa ka bërë thirrje që edhe Kuvendi i Shqipërisë ta miratojë rezolutën e gjenocidit të Serbisë, në Kuvendin e tyre.
“Mospajtimet tona vijnë nga ky dallim, dallimi thelbësor është qëndrimet e ndryshme që i kam unë dhe kryeministri i Shqipërisë, për presidentin e Serbisë. Ai po përpiqet që krimet e Serbisë t’i lokalizoj në figurën e Millosheviqit, kjo është e padrejtë ndaj Kosovës dhe kombit shqiptarë. Andaj kryeministrit të Shqipërisë por edhe Kuvendit të Shqipërisë i bëj thirrje që, ashtu siç e ka miratuar Kuvendi i Republikës së Kosovës, rezolutën e gjenocidit të Serbisë në Kosovë, ta bëjë edhe Kuvendi i Republikës së Shqipërisë”, ka thënë Kurti.