Kurti jep detaje për takimet e zhvilluara në Mynih, thotë se sot do të ketë të tjera

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih.

Atje ai ka zhvilluar takime të shumta me liderë shtetërorë dhe përfaqësues institucionesh nga vende të ndryshme.

“Në Konferencën e Sigurisë në Mynih, dje takova liderë shtetërorë dhe përfaqësues institucionesh nga vendet mike, pjesëmarrës në këtë konferencë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Kryeministri Kurti ka dhënë detaje rreth takimeve që ka zhvilluar në Mynih.

“Në takimin me Kancelarin e Republikës Federale Gjermane, Olaf Scholz dhe ministren për Evropë dhe Punë të Jashtme të Francës, Catherine Colonna, shpreha mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë dhe Francës. Raportet bilaterale dhe marrëdhëniet e veçanta ndërmjet Republikës së Kosovës dhe ShBA-ve u ritheksuan në takimin me senatorët amerikan Jeanne Shaheen dhe Chris Van Hollen. Ndërsa me Senatorin Bob Menendez, njëherësh Kryetar i Komisionit të Senatit të Shteteve të Bashkuara për Marrëdhëniet me Jashtë, biseduam për partneritetin e ngushtë ndërmjet dy vendeve tona dhe fuqizimin e mëtejmë të tij”.

“Me Lord Stuart Peach biseduam për marrëdhëniet dypalëshe, çështjet rajonale dhe bashkëpunimin më të ngushtë me Mbretërinë e Bashkuar. Deputetët e Bundestagut gjerman nga Partia Social Demokrate, Partia Liberale dhe CDU, Andreas Schwarz, Wolfgang Hellmich, Ulrich Lechte, Renata Alt, Aydan Özoğuz dhe Metin Hakverdi, i falënderova për përkrahjen e vazhdueshme dhënë vendit tonë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Kryeministri Kurti gjithashtu ka bërë të ditur se sot do të zhvillojë takime të tjera të rëndësishme.

“Me Drejtoren Ekzekutive të Europol-it, Catherine De Bolle, diskutuam për bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të rendit dhe Europol-it. Sekretarin e Përgjithshëm të INTERPOL-it, Jurgen Stock e njoftova për suksesin e Kosovës në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Për mundësitë dhe format e bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, bisedova me Drejtorin Ekzekutiv të kësaj agjencie, Fatih Birol”.

“Në takimimin me përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell dhe Përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për Dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, diskutuam për procesin e dialogut dhe propozimin evropian, të iniciuar nga Franca dhe Gjermania dhe të mbështetur nga ShBA-të dhe Italia. Bashkëpunimi i deritanishëm ndërmjet Qeverisë sonë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si dhe mundësitë e reja të bashkëpunimit ishin në qendër të takimit me Presidenten e BERZh-it, Odile Basso. E sot na presin edhe takime tjera të rëndësishme”, thuhet tutje në postimin e Kurtit.

Leave a Reply