Kurti: Me administratën Biden do të jetë ndryshe

Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha të hënën se presidenti amerikan Joe Biden e njeh mirë historinë e Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor dhe për të zgjidhur problemet në rajon, kjo është shumë e rëndësishme.

Ai i bëri këto komente në një bashkëbisedim me qendrën “Woodrow Wilson”.

“E di që në politikë, financat janë shumë të rëndësishme, por edhe historia po ashtu. Kam frikë se administrata e mëparshme u dha më shumë peshë financave sesa historisë”, tha ai duke theksuar se në debatet me ish të dërguarin amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ishte e vështirë meqë siç tha, “ai ngutej shumë dhe ishte shumë i përqendruar në çështjet financiare”.

Ai shfaqi besimin se me presidentin Biden dhe sekretarin e shtetit, Antony Blinken do të jetë më ndryshe.

Zoti Kurti tha se kur bëhet fjalë për dakordimin e 4 shtatorit të vitit të kaluar për normalizimin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, “më pëlqen ta lexoj nga fundi”.

“Në fund të tekstit të marrëveshjes…është njohja e Kosovës nga Izraeli. Dhe kjo është pjesa që më pëlqen më së shumti në të dhe është pika e fundit, prandaj unë e lexoj nga fundi”, tha zoti Kurti, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian rreth Ballkanit Perëndimor.

Zoti Kurti tha se përmbajtja e një marrëveshjeje Kosovë-Serbi është më e rëndësishme sesa afati apo shpejtësia me të cilën arrihet ajo.

“Ne nuk duhet të kemi bisedime ku do të përfshihen hartat me këtë idenë e vjetër të shkëmbimit të territoreve…Ne duhet të bisedojmë për njerëzit, qytetarët e komunitetet si përfituesit kryesor dhe jo për politikanët, fytyrat e të cilëve supozohet se duhet t’i shpëtojmë”, tha zoti Kurti duke nënvizuar se “nuk duhet të ketë bisedime me harta dhe jo harta me presidentët përreth, sepse, natyrisht hartat do të vazhdojnë të ekzistojnë, por duhet të jenë me ekspertet e demarkimit përreth tyre”.

Ai tha se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të bëhet njëkohësisht më normalizimin e të dyja vendeve përbrenda tyre.

“Për fat të keq deri tash qeveria dhe presidenti i Serbisë janë përqendruar shumë në atë se çfarë ka humbur Serbia me pavarësinë e Kosovës. Unë jam shumë i gatshëm të angazhohem në bisedime se çfarë kanë humbur qytetarët dhe jo çfarë ka humbur Serbia e sunduar nga (Slobodan) Milosheviçi, që kreu spastrim etnik dhe gjenocid në pranverën e vitit 1999”.

“Kosova nuk ishte e tyre në radhë të parë. Mënyra si kërkojnë ata të kompensohen nëpërmjet Asociacionit të komunave me shumicë serbe, diç që duket si Republika Srpska në Bosnjë, është e papranueshme”.

Ai tha se kushdo që kërkon kompensim kësisoj, e identifikon me apo pa vetëdije veten me regjimin e Milosheviçit.

Zoti Kurti tha se Bashkimi Evropian e ka lënë pasdore rajonin, posaçërisht Kosovën, e cila nuk është përfshirë madje as në regjimin e udhëtimit pa viza.

Duke nënvizuar se fati i rajonit është në BE, ai ritheksoi idenë e tij se Bashkimi Evropian do të duhej të organizonte një “Mini Marshall Plan” për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, sipas modelit të fondit amerikan të pas Luftës së Dytë Botërore, për të ndihmuar rimëkëmbjen e shteteve të Evropës.

Zoti Kurti tha se është optimist që nëse Kosova dhe Serbia angazhohen në mënyrë serioze dhe të sinqertë në bisedime, mund të arrihet marrëveshje, ndërsa tha se është vështirë të parashikohet anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara për shkak të qëndrimit të Rusisë dhe Kinës. Ai tha se ideja e tij për planin mini Marshall ka synim edhe mbrojtjen e Ballkanit Perëndimor nga Rusia.

Zoti Kurti, ish kryeministër i Kosovës, aktualisht është kandidat i lëvizjes Vetëvendosje për këtë post. Por, lista e partisë së tij për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, nuk është certifikuar, meqë prej saj nuk janë personat që janë të dënuar në tri vitet e fundit.

Ky kriter u vendos pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për vlefshmërinë e votës së qeverisë në largim. Debatet rreth kandidaturave janë përqendruar kryesisht tek zoti Kurti, pasi që në muajin shtator të vitit 2018, Gjykata e Apelit vërtetoi një vendim të muajit janar të atij viti, që dënoi zotin Kurti dhe tre deputetë të lëvizjes Vetëvendosje për hedhjen e gazit lotsjellës në Parlamentin e Kosovës.

“Pati një paragraf, (në aktgjykimin e Kushtetueses) që besoj se ishte interpretim i njëanshëm, si diçka që ka të bëjë me mua dhe disa deputetë të tjerë që janë dënuar në tri vitet e fundit dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i drejtuar nga zonja Valdete Daka, vendosi të mos e certifikojë listën tonë. Tani jemi ankuar në shkallën e parë. Shkalla e dytë do të jetë Gjykata e Lartë dhe shpresojmë për një rezultat pozitiv. Në thelb tendenca është që të mos lejohen pesë veta nga 110 që të certifikohen. Tash për tash nuk e kanë pranuar tërë listën tonë, por mendoj se kjo do të zgjidhet brenda javës”, tha zoti Kurti.

Leave a Reply