Kurti: Rezultat jo i kënaqshëm për Vetëvendosjen

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njëherësh udhëheqës i Lëvizjes Vetëvendosje, tha të hënën se rezultati i partisë së tij në rundin e dytë të zgjedhjeve lokale “nuk është i kënaqshëm”.

Ky rezultat, tha Kurti, është pasojë e “disa defekteve të brendshme” që duhen analizuar, por edhe i “bashkimit të të gjithë të tjerëve kundër Lëvizjes Vetëvendosje”.

Kurti i bëri komentet në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Pllenkoviq, i cili po qëndron për vizitë në Kosovë.

Rundi i dytë i zgjedhjeve lokale u mbajt të dielën në 21 komuna të Kosovës.
Infografikë
Kush, sa komuna i fitoi?

Në 17 komunat e tjera, kryetarët e rinj janë zgjedhur në rundin e parë, më 17 tetor.

Nga 38 komuna, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar katër.

Ajo ka humbur edhe garën për kryeqytetin, Prishtinën, dhe për qytetin e dytë më të madh të Kosovës, Prizrenin.

Në zgjedhjet parlamentare të shkurtit, ndërkaq, Vetëvendosje ka fituar mbi 50 për qind të votave.

Sipas analistëve, rezultati i zgjedhjeve të fundit lokale në Kosovë reflekton frymën e ndëshkimit të partive përmes votës së qytetarëve.

“Humbja e këtyre të dyjave [Prishtinës dhe Prizrenit] është disfatë jo vetëm në aspektin strategjik, por edhe për faktin që këto dy komuna janë ato, me të cilat Lëvizja Vetëvendosje ka qeverisur”, tha për Radion Evropa e Lirë Donika Emini, drejtore ekzekutive në platformën CiviKos.

“Do të thotë, në Prishtinë ka qenë për një mandat e gjysmë, ndërkaq në Prizren ka qenë për dy mandate. Kështu që në këto të dyja tregon se, edhe pse ka pasur ndryshim të qeverisjes lokale, ka pasur një humbje të shpresës së qytetarëve dhe kthim të rezultatit – gjë që tregon një disfatë të Vetëvendosjes dhe një mungesë të kapacitetit që të ketë rrëfim suksesi në nivel lokal”, tha Emini.

Kurti u zotua se do të bashkëpunojë me të gjithë kryetarët e rinj të komunave.

“Do të kenë shumë beteja dhe punë në përballje me krimin dhe korrupsionin”, tha ai.

Leave a Reply