Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur edhe për dialogun dhe takimin e mundshëm mes tij dhe presidentit Aleksander Vuçiç në Bruksel.
Kurti u shpreh se s’ka datë për takimin me presidentin e Serbisë dhe takimi varet nga BE-ja.
“Takimi do të mund të ndodhte diku në gjysëmën e dytë të nëntorit sa i përket përfaqësuesve të dy shteteve tona ndërkaq sa i përket udhëheqësve të shteteve nuk ka ndonjë datë për këtë gjë por kjo varet në masë të madhe prej lehtësuesit gjegjësisht prej Përfaqësuesit të Lartë Josep Borell dhe Emisarit të tij Lajçak”, tha Kurti para gazetarëve.
Mes të tjerash Kurti tha se bllokimi i bokserëve kosovarë nga Serbia për të marrë pjesë në kampionatin botëror shpërfaqi fytyrën e vërtetë të Serbisë.
“Së pari me bllokimin që ua bëri bokserëve tanë Serbia në kufi e shpërfaqi fytyrën e saj si shtet për ata që kanë pasur dilema. Të gjitha këto çështje do të adresohen në Bruksel sepse ne jemi vazhdimisht në komunikim me ta përmes letrave që ua dërgojmë”, tha ai.