Akuzojnë policinë kroate për dhunë barbare ndaj tyre
Kanë qenë të larta tensionet këtë fundjavë në kampin e refugjatëve në Velika Kladushë në veri të Bosnjes. Qindra emigrantë u përpoqën të shpërthenin rrethimin e kampit të rrethuar me rrjeta teli, me synimin për të vijuar rrugëtimin drejt Kroacisë.
Ata ankohen për kushte të këqija jetese në këtë kamp të mbipopulluar, ku numri i refugjatëve nga vendet islamike të strehuar atje, tejkalon disa here kapacitetet. Ata duan të vazhdojnë rrugëtimin e tyre drejt Kroacisë, e më pas drejt shteteve të veriut të Bashkimit Europian.
Por autoritetet kroate kanë bllokuar hyrjen e refugjatëve dhe emigrantëve ilegalë. Kushdo që përpiqet të kalojë kufirin përballet me dhunë brutale nga forcat kroate të sigurisë.
Salam Batu, banor i kampit: Policinë boshnjake e respektojmë pasi sillen mirë me ne, por kroatët shumë, shumë keq. Duam të hapet kufiri dhe të mos na godasin më. Na marrin veshjet, këpucët, çorapet, gjithçka.
Policia kroate mohon të ketë ushtruar dhunë edhe pse këtë e dëshmojnë vetë ata që e kanë ndjerë mbi kurriz. Strukturat e Bashkimit Europian e kanë kritikuar disa herë qeverinë kroate për këtë fakt.
Në Bosnje, aktualisht strehohen mbi 6 mijë refugjatë dhe emigrantë të mbetur aty pas fluksit të vitit 2016, që detyroi disa vendet europiane të mbyllnin kufijtë.