Mazhoranca vendosi të “lajë” duart shpejt me Ilir Metën si President me Parlamentin e vjetër në mënyrë që të bllokojë çdo skenar të kreut të shtetit për mos dekretimin e qeverisë se re.
Kuvendi ia pasoi topin Gjykatës Kushtetuese, por kjo e fundit nuk e ka përfshirë këtë vendim në çështjet e saj prioritare duke e shtyrë shqyrtimin e ligjshmërisë së shkarkimit të kreut te shtetit pas dekretimit të qeverisë së re.
Pushimet në gusht duket se nuk i ka marrë vetëm politika por edhe 7 gjyqtarët e gjykatës Kushtetuese, ndërsa kalendari i punimeve të gjykatës për muajit shtator dhe tetor duket i vakët dhe për momentin nuk figuron asnjë datë për zhvillimin e seancës që do të vendoste përfundimisht për fatin e politik të Ilir Metës.
Të vetmet çështje që Kushtetuesja ka në plan të shqyrtojnë në vjeshtë janë ankimimi i minatorit që mbeti jashtë Parlamentit Elton Debreshi, i cili kërkon rrëzimin e pragut kombëtar prej 1 përqind për shpërndarjen e mandateve, si dhe një ankimim i unionit të noterëve shqiptarë dhe një tjetër i zyrës përmbarimore.
Vera ka vendosur një “armëpushim” të përkohshëm mes dy ish-aleatëve, por vjeshta për ta duket se ka plane te tjera për Ramën dhe Metën. Parlamenti i ri nis punimet me 6 shtator, por nëse Gjykata Kushtetuese nuk parashikon asnjë datë për shqyrtimin e një ndër çështjeve më të nxehta të politikës, Edi Rama me kabinetin e tij të ri në shtator do duhet të trokasë në derën e Ilir Metës të cilin vetë e shkarkoi për të bërë betimin për mandatin e 3-të të tij.