Laborator kokaine në Fier, të paktën 15 të arrestuar

Deri më tani 15 persona janë vënë në pranga si pasojë e një operacioni të DEA-s amerikane në bashkëpunim me SPAK dhe policinë e Malit të Zi. Sipas asaj që ka mësuar gazetari i Klan News, Besar Bajraktaraj, në fshatin Frakull të Fierit është zbuluar një laborator i përpunimit të drogës.

Mësohet se nga Mali i Zi në drejtim të Shqipërisë kanë ardhur 400 kilogramë pleh kimik e përzier me kokainë. Për këtë arsye ishte ndërtuar edhe laboratori që do të merrej me përpunimin e lëndës narkotike.

Katër prej të arrestuarve janë vënë në pranga në Tiranë. Klan News raporton se ata janë Bledar Matoshi, 33 vjeç; Kid Koshena, 28 vjeç; Klajdi Vrioni (Kodra), 32 vjeç dhe Redion Meshi, 22 vjeç.

Policia njoftoi këtë të enjte se katër të rinjtë u ndaluan pasi udhëtonin me makinën tip “Range Rover”. Atyre iu gjetën 2 pistoleta dhe krehëra me municion luftarak. Ndërkohë në shtëpinë e 22-vjeçarit Meshi u sekuestruan 2 kallashnikovë së bashku me sasinë e municionit luftarak.

Sipas gazetarit Bajraktaraj, të rinjtë kanë dalë në përgjime dhe mbaheshin në vëzhgim prej disa kohësh. Ndërkohë në ambientet e laboratorit, policia ka sekuestruar armë, dy kallashnikovë, një shotgun dhe një çifte.https://www.youtube.com/embed/COC7jxyKfBA

Lajmi për operacionin e përbashkët policor u raportua më herët edhe nga mediat malazeze. Vijesti shkroi se sasia e lëndës narkotike u dërgua në portin e Tivarit Korrikun e shkuar.

Por hetuesit kanë vendosur që ta mbajnë në survejim deri kur të shkonin ta merrnin porositësit që të bënin identifikimin e tyre. Kjo ka ndodhur ditën e sotme dhe për këtë arsye ka ndërhyrë menjëherë policia.

Leave a Reply