Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, është ftuar në cilësinë e dëshmitarit nga Gjykata Speciale.
Gazeta Online Insajderi merr vesh se Ahmeti është thirrur kohë më parë – madje edhe para zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut.
Por, sipas të njëjtit burim, Ahmeti ka refuzuar të udhëtojë gjatë fushatës dhe ka dashur të shtyjë deri pas ditës së zgjedhjeve.
Tani, kur zgjedhjet kanë kaluar, pritet që të niset për në Hagë ku do të intervistohet në Zyrën e Prokurorisë së Specializuar.
Ahmeti, që njihet si një nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, po ftohet në cilësinë e dëshmitarit, por nuk mund të konfirmohet nëse dëshmia e tij ka të bëjë me rastin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, apo jo.
Vetë Thaçi e ka kryer intervistimin e tij.
Për katër ditë, me orë të tëra, presidenti, dikur ish-përfaqësuesi politik i UÇK-së, u është përgjigjur pyetjeve për veprimtarinë e tij gjatë luftës në Kosovë.
Gjykata Speciale me anë të një kumti për media, pati njoftuar muajin e kaluar se më 24 prill ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër presidentit Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.
Insajderi ka provuar të kontaktojë me dikë nga kabineti i Ahmetit për të marrë një konfirmim për ftesën nga Haga.
Është kontaktuar zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani, por nuk ka qenë i qasshëm.
Gjithashtu komunikim është provua të vendoset edhe me Artan Grubin, shefin e Kabinetit të Ahmetit, por as ky nuk ka qenë në dispozicion.
Ahmeti është pyetur për Gjykatën Speciale në një intervistë në televizionin publik të Kosovës ditë më parë. Ka deklaruar se këto akuza që po vijnë – jo vetëm nga kjo gjykatë, por edhe të tjerat para saj – po u rrinë shqiptarëve si “gurë mbi qafë”.
Megjithatë, ka deklaruar se do të dëshmohet, edhe një herë, sikur herëve të tjera, se “lufta e UÇK-së ka qenë e pastër si loti”. /Insajderi/