Le Pen përjashtohet nga presidencialet 2027

Gjykata e dënon me 5 vite larg posteve publike

Marine Le Pen nuk do të mund të kandidojë për presidente të Francës në zgjedhjet e 2027-ës.

Gjykata e Parisit e dënoi atë duke i ndaluar mbajtjen për 5 vite të posteve të larta publike, pasi e shpalli fajtore për keqpërdorimin e gati 3 milionë Eurove, para të cilat ajo i përdori për të paguar stafin e partisë së saj, por që ishin të destinuara për ndihmësit e saj si eurodeputete nga viti 2004 deri ën 2016-ën.

Gjykata e dënoi atë edhe me 4 vite burg, por ajo nuk do të kalojë asnjë ditë në qeli. Dy vite mund t’i kalojë në liri me kusht dhe dy të tjerë me byzylyk elektronik. Gjobitet edhe me 100 mijë Euro.

Për pasardhësin e saj në krye të Tubimit Kombëtar të ekstremit të djathtë, Zhordan Bardella, dënimi i Le Penit, vret demokracinë franceze.

Kremlini deklaroi se ky vendim tregon se gjithnjë e më shumë vende europiane po largohen nga demokracia.

Mateo Salvini i Lega Nord tha se “kush ka frikë nga gjykimi i zgjedhësve merr garanci nga vendimet e gjykatave”.

Përjashtimi i saj nga kandidimi i hap rrugën Zhordan Barella-së, 29-vjeçarit me një karrierë me rritje të shpejtë në radhët e nacionalistëve francezë.

Leave a Reply