Data 20 gusht shënoi zyrtarisht edhe fluksin më të madh të besimtarëve që shkojnë në malin e shenjtë për të bërë ritet fetare bektashiane. Teqeja e Kulmakut është përgatitur dhe ka hapur dyert disa ditë më parë për të pritur pelegrinët që bëhen pjesë e kësaj feste.
Nga ana e kryegjyshatës janë marrë të gjitha masat si çadrat për pelegrinët, banjot, ndriçimi dhe uji i pijshëm, por problemi më prezent prej vitesh është edhe therja e bagëtive që bëhen kurban nga pelegrinët. Situata është shumë e rëndë. Kasapët therin qingjat dhe të brendshmet i hedhin ku të munden duke u bërë edhe rrezik për përhapjen e ndonjë sëmundje. Kryegjyshi bektashian shprehet se ka kërkuar ndihmën e qeverisë për ndërtimin e një thertoreje.
Një problem tjetër është edhe aksi rrugor Pronovik-Teqe-Kulmak, i cili është shumë i vështirë për t’u kaluar. Drejtuesit e mjeteve kanë hasur vështirësi për t’u ngjitur në Kulmak ku ka pasur dhe bllokim të rrugës deri në gjashtë orë. Kreu kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Baba Edmond Brahimaj shprehet se ka negociuar me qeverinë shqiptare për të realizuar investimin e rrugës.
Rruga e dëmtuar dhe problemi i mbetjeve të kurbanëve është ngritur si problem çdo vit, por deri tani pavarësisht kërkesave të bëra nuk është gjetur asnjë zgjidhje, e ata që e vuajnë rrugën e prishur dhe erën e keqe janë pelegrinët që vizitojnë varrin e shenjtë të Abaz Aliut.