Përballë agresionit të Rusisë, shtetet e Baltikut po bëjnë përpjekje për të mbrojtur kufirin lindor të NATO-s.
Siç raporton korrespondentja e Zërit të Amerikës Myroslava Gongadze nga kufiri i Letonisë me Rusinë, vija e mbrojtjes e Baltikut, një sistem i ri përforcimi përgjatë kufijve të tyre me Rusinë dhe Bjellorusinë, ka për qëllim të mbrojë aleatët e NATO-s nga sulmet e mundshme.
Letonia po vendos struktura betoni, të njohura si “dhëmbët e dragoit” si pjesë të vijës së mbrojtjes së Baltikut përgjatë kufirit me Rusinë dhe Bjellorusinë.
Ministri letonez i mbrojtjes, Andris Spruds thotë se shtetet e Baltikut po shënojnë përparim në zbatimin e një marrëveshjeje të janarit për të përforcuar krahun lindor të NATO-s, pas agresionit rus ndaj Ukrainës.
“Ka disa vite që jemi përballur me një lloj ofensive hibride siç janë fushatat dezinformuese, përdorimi i emigracionit të jashtëligjshëm, sulmet kibernetike dhe disa incidente ndaj infrastrukturës tonë kritike. Ky është një prej shembujve se ne po marrim masa për të parandaluar shtetet agresore dhe natyrisht po bashkëpunojmë me aleatët tanë të NATO-s për të forcuar mbrojtjen”, thotë ai për Zërin e Amerikës.
Sipas ministrit Spruds, sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës ka nxitur Letoninë, Lituaninë, Estoninën dhe Poloninë të investojnë në mbrojtjen e tyre dhe të përforcojnë kufijtë e tyre.
“Ajo që ndodhi në Ukrainë ishte provë shtesë, na dha një nxitje të re për të ndërmarrë masa sa më parë. E kuptuam se sa e rëndësishme është të mbrojmë shtetin dhe territorin e NATO-s, çdo pëllëmbë të saj. Këtë po e bëjmë tani”, deklaroi ministri Spruds në intervistën për Zërin e Amerikës.
Kufiri i Letonisë me Rusinë dhe Bjellorusinë është 450 kilometra i gjatë.
“Si pjesë e mbrojtjes të përgjithshme, ne duhet të jemi përgjegjës për pjesën që na takon. Sigurisht që mbështetemi tek NATO-ja, por duhet t’i përmbushim edhe detyrimet tona. Këto janë përgjegjësitë tona”, thotë për Zërin e Amerikës, Kolonel Andris Rieksts nga Forcat Kombëtare të Armatosura të Letonisë.
Ministria e mbrojtjes thotë se Letonia planifikon të investojë mbi 300 milionë dollarë gjatë pesë viteve të ardhshme për të përforcuar kufirin e saj.
“Këtë vit ne do ta arrijmë pragun prej 3 për qind për shpenzimet e mbrojtjes. Jemi në mesin e gjashtë shteteve që po e përmbushin këtë detyrim”, thotë ministri Spruds.
Spruds shpreson se edhe aleatët tjerë do të shtojnë investimet në mbrojtje të paktën deri në 2 përqind të prodhimit të brendshëm bruto, siç u kërkohet shteteve të NATO-s.
“Kur filloi lufta, rreth tetë ose nëntë shtetet po përmbushnin pragun e 2 përqindshit. Tani janë më shumë se 20. Po, natyrisht, ne mbrojmë fuqishëm dhe motivojmë partnerët tanë, aleatët tanë, të investojnë, ngaqë në fund të fundit, bëhet fjalë për NATO-n e përbashkët. Ka të bëjë me kapacitetin, efikasitetin dhe fuqinë e NATO-s”, shton ai.
Shtetet lindore të NATO-s dhe Bashkimit Evropian, që gjenden në kufirin e skajshëm të dy organizatave, po ashtu kanë kërkuar që BE-ja t’u japë mbështetje financiare për të ndërtuar një vijë mbrojtjeje përgjatë kufirit të Bashkimit Evropian me Rusinë dhe Bjellorusinë, e cila sipas disa llogaritjeve mund të kapë shifrën e 2.5 miliardë dollarëve.