Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare për Programe Evropiane Arsimore dhe Mobilitet, Lidija Dimova, ka reaguar për akuzat ndaj saj, se i ka dhënë grant prej 270 mijë eurove një floktarie.
Në konferencë për shtyp sot, ajo tha se bëhet fjalë për mashtrim publik dhe se nuk i ka keqpërdorur fondet evropiane, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Dua të them se bëhet fjalë për mashtrim, i cili ka filluar që në muajin qershor kur publikova storjen për keqpërdorimin e 2.2 milionë eurove para evropiane. Granti që përmendet në mediume nuk është dhënë për floktari, por për një ndërmarrje tjetër, ndërsa fotografitë në të cilat shihem unë me Zoran Zllatkovskin janë të montuara”.
“Bëhet fjalë për dhënie të disa granteve, por jo për floktari, por për ndërmarrjen V.E.Z TREJD, ndërsa Zoran Zllatkovski është pronar, ku para shitores janë bërë shumë montazhe, ndërsa e fundit është ajo që shihem unë me të, para shitores”, tha mes tjerash Dimova.
Ajo gjithashtu tha se në agjencinë që ajo e drejton, paratë nuk mund t’i ndajë as drejtoresha e asnjë person tjetër fizik ose juridik. Dimova tha se paratë nga agjencia jepen në kushte të konfirmuara nga Brukseli.