Ligjvënësit britanikë nga radhët e Komisionit për të Drejtat e Njeriut në Partinë Konservatore e cila ndodhet në pushtet, akuzojnë Partinë Komuniste Kineze ka shtuar sulmet ndaj të drejtave të njeriut në Kinë dhe se vendet që bashkëveprojnë me regjimin duhet të kuptojnë se po bashkëveprojnë me një “shtet kriminal”.
Nga burgosja e miliona ujgurëve në provincën Xinjiang e deri tek goditja e ashpër e protestave dhe demokracisë në Hong Kong, autorët e raportit thonë se ka një përkeqësim të madh të situatës së të drejtave të njeriut në Kinë gjatë pesë viteve të fundit.
“Në veçanti, problemi i vazhdueshëm i punës në formë skllavërie, zhvillimi i teknologjisë së përgjimit për të krijuar një shtet të mbikëqyrjes, rrëfimet me detyrim në televizon, zbatimi i ligjeve të reja që brenda të ashtuquajturit sistem ligjor mundësojnë ndalime dhe zhdukje arbitrare dhe vazhdimi i përdorimit të torturës dhe marrja me forcë e organeve”, thotë Benedict rogers, autor i raportit.
Në mesin e atyre që ndihmuan hartimin e raportit është Rahima Mahmut, e cila është ujgure nga provinca Xinjiang. Pasi pa masakrimin e dhjetëra protestuesve më 1997, ajo u arratis drejt Britanisë. Tani ajo luan në koncerte për të nderuar kulturën ujgure.
Zonja Mahmut i tha Zërit të Amerikës se populli në Xinjiang jetojnë në terror të vazhdueshëm dhe se ajo nuk ka kontaktuar familjen e saj për katër vite.
“Një trokitje në derë sjell frikë për këdo. Sepse mendoni se kanë ardhur që t’ju marrin. Nuk di si ta përshkruaj çfarë ndjej kur lexoj artikuj që shpjegojnë se çfarë po ndodh: dhunim masiv, sterilizim, shpërbërje e familjeve”, thotë Rahima Mahmut, ujgure e arratisur në Britani.
Përkundër provave në rritje, Kina përsëri këtë javë mohoi ekzistencën e kampeve të burgimit për ujgurët dhe hodhi poshtë akuzat për sterilizime të detyruara të grave ujgure.
“Se çfarë lloj masash kontraceptive marrin njerëzit varet nga indvidët me dëshirën e tyre. Asnjë organizatë ose individ nuk mund të ndërhyjë. Nuk ka sterilizim të detyrueshëm”, thotë Xu Guixiang nga Departamenti Publik i Partisë Komuniste në Xinjiang.
Raporti i Partisë Konservatore në Britani vjen ndërsa shumë ligjvënës kërkojnë rivendosje të marrëdhënieve me Kinën. Kanë kaluar vetëm pesë vite nga deklarimi i ish-kryeministrit britanik David Cameron se marrëdhëniet me Pekinin janë “epokë e artë. Por që atëherë raportet janë acaruar me shpejtësi.
Pas vendimit të ShBA-së për të ndaluar importin e pambukut dhe domates nga Xinjiang pas shqetësimeve për punëtorë në kushte skllavërie, Sekretari i jashtëm britanik Dominic Raab njoftoi kufizime të reja.
“Duhet të veprojnë që të sigurohemi se bizneset britanike nuk janë pjesë e zinxhirit të furnizimit në portat e kampeve të internimit në Xinjiang”, tha ai.
Zonja Mahmut dëshiron që Sekretari Raab të deklarojë përndjekjen e ujgurëve si gjenocid.
“Ai ka thënë shpesh se gjenocidi duhet të vendoset nga gjykata, jo nga politikanët. Por e dimë shumë qartë se nuk mund të ndjekim rrugën e gjykatës përmes Kombeve të Bashkuara sepse Kina ka fuqinë e vetos”, tha Rahima Mahmut, ujgure e arratisur në Britani.
Pekini mohon të ketë kryer abuzime të mëdha të të drejtave të njeriut dhe u ka bërë thirrje në mënyrë të përsëritur vendeve perëndimore që të ndalojnë ndërhyrjen në ato që Kina i quan punë të brendshme./VOA