Senati amerikan konfirmoi të martën kandidaten e Presidentit Joe Biden për ambasadore në Kombet e Bashkuara, pasi kundërshtimet e disa republikanëve kishin vonuar emërimin e saj.
Linda Thomas-Greenfield u konfirmua me 78 vota pro dhe 20 kundër. Ajo mori mbështetje dypartiake, përfshirë votat nga më shumë se 20 senatorë republikanë, midis tyre Lindsay Graham, Mitt Romney dhe udhëheqësi i pakicës Mitch McConnell. Edhe republikanët Bill Cassidy dhe John Kennedy nga shteti i saj, Luiziana, e mbështetën atë.
Konfirmimi i saj vjen më pak se një javë para se Shtetet e Bashkuara të marrin presidencën e rradhës të Këshillit të Sigurimit të OKB-së më 1 mars.
Posti i saj do të jetë në nivel kabineti në administratën e Presidentit Biden.
Vonesat
Komisioni i Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë e mbajti seancën e konfirmimit të zonjës Thomas-Greenfield më 27 janar. Senatorët nga të dyja palët i bënë pyetje të detajuara diplomates së Departamentit të Shtetit me 35 vjet përvojë në lidhje me një fjalim që ajo mbajti, pasi kishte lënë shërbimin diplomatik në vitin 2019. Ajo i bëri komentet në Universitetin Shtetëror të Savanës në Xhorxhia, në Institutin Konfuci që financohet nga qeveria kineze. Komentet e saj u përqëndruan në investimet amerikane dhe Kinës në Afrikë dhe disa senatorë e kritikuan atë se ishte treguar e butë ndaj Pekinit.
Gjatë seancës së konfirmimit, zonja Thomas-Greenfield i kundërshtoi akuzat duke thënë se ajo e kishte ngritur zërin për qëndrimet e Pekinit gjatë gjithë karrierës së saj, duke përfshirë ato që ajo i quajti interesa vetjake dhe parazitare të zhvillimit të Kinës” në Afrikë.
“Unë e shoh atë që ata po bëjnë në OKB si një minim të vlerave tona, të asaj që ne besojmë,” u tha ajo anëtarëve të Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit në atë kohë. “Ata po minojnë sigurinë tonë, po sabotojnë njerëzit tanë dhe ne duhet të marrim masa në këtë drejtim.”
Emërimi i saj u miratua nga komisioni, por senatori republikan Ted Cruz, i pakënaqur me qëndrimin e saj ndaj Kinës, përdori një rregull të komisionit për ta shtyrë konfirmimin e saj përfundimtar deri pas gjyqit të dytë mbi akuzat ndaj ish-presidentit Donald Trump. Të martën, senatori Cruz votoi kundër konfirmimit të saj.
Jeta dhe Karriera
E lindur në vitin 1952 në shtetin jugor të Luizianës, zonja Thomas-Greenfield, e cila është afrikano-amerikane, ishte një ndër tetë vëllezër e motra. Ajo ka thënë se babai i saj e la shkollën në klasën e tretë për të ndihmuar familjen e tij.
“Ai nuk dinte të lexonte ose shkruante, por ishte njeriu më i zgjuar që kam njohur,” tha ajo për të në një fjalim në serinë TED 2019.
Ajo tha se edhe nëna e saj kishte arsim të kufizuar, por një zemër të madhe. Përveç rritjes së fëmijëve të saj, ajo mori në shtëpi tetë fëmijë të tjerë që humbën nënën e tyre, që të mos ndaheshin.
“Unë nuk kam pasur modele të suksesshme dhe të arsimuara në jetën time, por kisha shpresat dhe ëndrrat e nënës sime, e cila më mësoi që në moshë shumë të hershme se mund të përballesha me çdo sfidë ose fatkeqësi në jetë me dhembsuri dhe mirësi”, tha zonja Thomas-Greenfield.
Ajo u rrit gjatë periudhës së luftës për të drejtat civile, duke mbaruar një shkollë të mesme të segreguar dhe shkoi në Universitetin Shtetëror të Luizianës, i cili u detyrua të pranonte studentë afrikano-amerikanë me urdhër gjykate.
Gjatë karrierës së saj në Departamentin e Shtetit, Thomas Greenfield ka punuar në administrata demokrate dhe republikane. Si specialist e Afrikës, ajo shërbeu si ambasadore e SHBA-së në Liberi dhe shërbeu në poste në Kenia, Gambia dhe Nigeri.
Nën Presidentin e atëhershëm Barack Obama, ajo shërbeu si ndihmëse sekretare në Byronë e Çështjeve Afrikane (2013-2017), duke zhvilluar dhe menaxhuar politikën e Uashingtonit për Afrikën nën-Sahariane. Ajo ka punuar gjithashtu në Gjenevë në misionin e SHBA-së në Kombet e Bashkuara.
Në 1994, ajo mbërriti në Kigali të Ruandës ndërsa ekstremistët Hutu filluan gjenocidin e tyre 100-ditor kundër pakicës Tutsi. Ajo pothuajse u bë viktimë e dhunës kur u përball me një burrë që ishte gati ta vriste. Ajo i shpëtoi incidentit, por ka thënë se gjenocidi “i ndryshoi përgjithmonë jetën “.
Sfidat përpara
Zonja Thomas-Greenfield do të përballet me sfida në Kombet e Bashkuara. Administrata Trump ishte kryesisht indiferente ndaj organizatës dhe tërhoqi mbështetjen financiare dhe diplomatike në disa fronte. Presidenti Biden është zotuar të riangazhohet me trupin botëror dhe të përqafojë multilateralizmin.
Louis Charbonneau, drejtor për OKB-në në organizatës Human Rights Watch, i kërkoi ambasadores që ta bëjë një përparësi kryesore promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
“Ajo duhet të heqë dorë nga qasja selektive e administratës Trump ndaj të drejtave të njeriut, e cila dëntonte ashpër abuzimet nga kundërshtarët e saj, ndërsa shpërfillte shkeljet e të drejtave të aleatëve si Izraeli dhe Arabia Saudite, megjithatë ka vend për një vazhdimësi në qëndrimet ndaj Kinës dhe Sirisë,” tha zoti Charbonneau.
“Ajo duhet ta bëjë zgjerimin e koalicionit të vendeve të gatshëm të flasin kundër abuzimeve të të drejtave të njeriut të Pekinit një nga qëllimet e saj kryesore në OKB, dhe duhet të vazhdojë të kërkojë lejimin e qasjes humanitare në të gjitha zonat e Sirisë.”
Kombet e Bashkuara kanë kryesuar përpjekjen për të koordinuar bashkëpunimin global për luftën kundër ndryshimit të klimës dhe pandemisë COVID-19. Sekretari i Përgjithshëm i OKB ka mirëpritur ri-angazhimin e Uashingtonit për të dyja çështjet.