Agron Duka pas tri ditë negociatash të vështira është aleati i parë i cili arriti marrëveshjen me Lulzim Bashën për zgjedhjet e 25 Prillit.
“Kemi 3 ditë që negociojmë me zotin Basha dhe stafin e tij. Sapo dola nga zyra e Bashës dhe kemi rënë dakord që unë të jem në pjesën fituese të listës së përbashkët të koalicionit opozitar në Durrës dhe gjithashtu Partia Agrare Ambientaliste të kenë përfaqësuesit e saj në 12 qarqet e vendit”, thotë Duka.
Negociatat e vështira me aleatët Lulzim Basha ia ka deleguar një grupi negociator i përbërë nga Gazment Bardhi, Edi Paloka dhe Alfred Rrushaj. Ndryshe nga sa ndodhi me Agrarët, negociatat e së mërkurës mes demokratëve dhe republikanëve nuk prodhuan rezultat.
“ Pati shume debate. Nuk është se jam shumë i kënaqur nga arritja e këtyre negociatave. Se nëse më pyet mua mendoj se PPA meritonte dy vende në pjesën e sigurt të listës, por kështu mendoi pjesa kryesore e PAA që duhet të lëshojë gjithësecili nga pak, në mënyrë që të kishim një negociata përfundimtare n leverdi të bllokut opozitar”, shprehet Duka.
Fatmir Mediu mendon ndryshe. Ai la të kuptohet se në tryezën e bisedimeve republikanët nuk do mjaftohen me pak.
Një marrëveshje me aleatin historik , demokratët duket se do e kenë të vështirë. Para se të futej në selinë blu, Fatmir Mediu bëri publike për mediat 36 kandidatët e Partisë Republikane për Tiranën.
Fundi i kësaj jave do të jetë vendimtare nëse PR do marrë marrëveshjen që do apo do dalë me listën e saj në zgjedhje.