ARBEN DEDJA për frymëzimin, kohën dhe procesin krijues
(Enkas për HEJZA-n)
Unë këtë çështjen e frymëzimit nuk e kam shumë të qartë. Në kuptimin që nuk e di mirë ç’domethënë. Di të them me siguri, ama, që, ndryshe nga ç’sugjeron emri dhe imagjinata tradicionale, nuk kemi të bëjmë me diçka që vjen nga lart, por diku nga poshtë nga thellësitë e rropullive dhe të vetëdijes. Natyrisht kur ky vjen si i tillë, nuk kemi të bëjmë aspak me një fluturim të lirë e ngadhënjimtar në flladin pranveror; por me llavën e shtrydhur nga pllakat tektonike të ekzistencës. Jo liria pra, por pikërisht pengesa krijuese është ajo që e sublimon fjalën. Dhe nuk synoj aspak ta sfidoj kohën me këtë fjalë: betejë e humbur. Sa për veprën time më të fundit, po flas për çka shkruaj dhe jo çfarë është duke parë imediatisht dritën e botimit, se kjo e fundit është shkruar kohë më parë – (gati) u harrua tashmë. Po shkruaj tregime të vockla. Po shkruaj mikrobiografi (jo më të gjata se njëqind fjalë). Po shkruaj minikomedi (një faqe, një faqe e gjysmë). Nuk ka frymëzim në gjithë këtë. Ka ulje përpara kompjuterit në një orë sa më të vonë të natës, kur lodhja t’i ka mpirë mendtë e gjymtyrët dhe përqendrimi para fletës bosh. Nëse idetë janë vërtet këmbëngulëse dhe ato e tejkalojnë lodhjen, atëherë arrij t’i hedh në fletën e bardhë. Nëse jo: “Gjumë të ëmbël!”