Rrëshqitje dheu, përmbytje dhe dëborë
Për shkak të motit të keq, dy varka peshkimi që mbanin flamurin egjiptian dhe që mbanin nëntë tunizianë u rrëzuan duke u përpjekur të arrinin në portin e Cagliarit. Nëntë marinarët u shpëtuan nga zjarrfikësit, kapiteneria dhe policia.
Problemet më të mëdha janë në Agrigento ku 8 familje u evakuuan nga banesat e tyre për shkak të vërshimit të lumit Akragas. Në provincën e Trapanit në Calatafimi-Segesta ka vërshuar lumi Freddo, ndaj janë evakuuar 8 familje.
Në Catania dy familje u evakuuan, për shkak të një orteku të madh që u shkëput nga shpati malor ngjitur me shtëpinë e tyre dhe goditi banesën. Temperaturat janë ende më të ulëta dhe priten të vijojnë reshjet e borës dhe temperaturat nën zero në disa qytete. Edhe Kroacia në disa zona ka lëshuar alarm të kuq për shkak të motit të keq.
Paralajmërimi i kuq për shkak të erës së fortë është në fuqi për zonat e rajonit të Rijekës, Kvarner dhe Kvarneriç, Kanalin Velebit dhe Dalmacinë veriore. Në disa pjesë të këtyre rajoneve priten të fryjnë erëra deri në 165 kilometra në orë.
Instituti Shtetëror Hidrometeorologjik i Kroacisë i bëri thirrje popullatës që të ketë kujdes për shkak të rrëzimit të pemëve, thyerjes së degëve dhe fluturimit të mbeturinave. Ka patur dëmtime të shumta në strukturat e banesave, ndërprerje të qarkullimit dhe të furnizimit me energji elektrike.
Autoritetet kroate këshilluan publikun që të shmangë udhëtimet dhe qëndrimin pranë zonave bregdetare të rrezikuara, ndërsa tragetet janë urdhëruar që të mos lundrojnë për shkak të erërave më të forta rajonin e Splitit, bregdetin perëndimor të Istrias, Dalmacinë qëndrore dhe atë jugore përfshirë Dubrovnikun për shkak të erës, shiut dhe stuhive.
Shpresohet që nga java në vijim me mbërritjen e anticiklonit Santa Lucia do të rikthetet moti i qëndrueshëm në pjesën më të madhe të Italisë për disa ditë.
Nga ana tjetër, jugu i vendit do të ndikohet nga prurjet e rrymave të ftohta nga Ballkani që herë pas here do të shkaktojnë reshje shiu dhe reshje bore në Apenine, veçanërisht në pjesën e poshtme të Adriatikut.