Mbretëria e Bashkuar zotohet se do të furnizojë Ukrainën me armë të reja gjatë javë të ardhshme
Kanë rezultuar ndër më të përgjakshmet bombardimet e së shtunës në qytetin qendror të Ukrainës në Dnipro. Numri i viktimave ka shkuar në 20 ndërsa shtatëdhjetë e tre persona të tjerë u plagosën nga sulmi vdekjeprurës me raketa ne një bllok ndërtesash në këtë qytet.
40 prej tyre po trajtohen në spitalet e qytetit, duke përfshirë katër që ndodhen në kujdes intensiv. Ekipet e kërkim-shpëtimit kanë punuar edhe gjatë natës në kërkim të të mbijetuarve. Punonjësit e urgjencës bën me dije se kishin dëgjuar njerëz që kërkonin për ndihmë nga rrënojat.
“Operacioni i shpëtimit po vazhdon. Fati i më shumë se 40 personave mbetet i panjohur,” u shpreh guvernatori i rajonit të Dnipropetrovsk Valentyn Reznichenko duke shtuar se sulmet ruse kanë shkatërruar 72 apartamente dhe dëmtuar më shumë se 230 të tjera.
Pas sulmeve me raketa ruse, Moska intensifikoi ndjeshëm bombardimet në disa rajone, duke bërë që sirenat e sulmeve ajrore të oshëtinin në të gjithë vendin.
Zyrtarët ukrainas kanë paralajmërur se si pasojë e sulmeve do të kufizohet furnizimi me energji elektrike për kryeqytetin dhe pjesë të mëdha të vendit gjatë ditëve të ardhshme.
Ndërsa luftimet vazhduan në lindje të Ukrainës, Britania ndoqi shembullin e Francës dhe Polonisë ku ka premtuar për furnizime me armë të tjera. Londra pritet të dërgojë 14 nga tanket e saj Challenger 2 si dhe armë të tjera të avancuara në javët e ardhshme.