SPAK goditi një nga rrjetet më të mëdha të trafikut ndërkombëtar të kokainës. SPAK thotë se 6 tonë kokainë të sekuestruara, ndër më të lartat të kapura ndonjëherë, kapin vlerën marramendëse, 411 milionë euro.
Për 16 personat e dyshuar është kërkuar arrest në burg, ndërsa hetimi nisi nga aplikacioni SKY ECC. Prokuroria thotë se nëntë persona janë proceduar më herët, gjashtë të tjerë u identifikuan në korrik, ndërsa njëri u shpall në kërkim.
Vizion Plus siguron emrat e gjashtë personave të arrestuar: Artur dhe Klevis Hoxhëosmani, Ermir Ndreaj pronar i disa bizneseve, Erion Alibej i penduari i drejtësisë, Plarent Dervishaj, i burgosur për atentatin e ish- prokurorit Arjan Ndoja dhe Ilir Lloshi.
Prokurorët e Posaçëm, Altin Dumani dhe Adnan Xholi thonë se struktura organizative e këtij grupi kriminal, me shtrirje në disa kontinente është dëshmi e nivelit të lartë të sofistikimit të grupeve kriminale shqiptare.
Policia e Shtetit ka publikuar pamjet nga operacioni i koduar “Orologi”.
Gjatë operacionit janë ushtruar kontrolle të shumta dhe janë sekuestruar
- 3 armë zjarri të llojit pistoletë
- 43470 euro
- 5000 franga zvicerane
- 3 automjete, përfshirë një Mercedes Benz AMG G63, një Volkswagen Golf 7a dhe një Volkswagen Sharan
- 1 skaf luksoz i markës “Hull Works Sarock 40”, prodhim i vitit 2025, i regjistruar në emër të një subjekti tregtar
- 1 orë Rolex model 126613LN
- 1 orë Richard Mille, model McLaren RM50-03/68
- 16 aparate celularë, kryesisht të markave iPhone dhe Samsung, disa me karta SIM aktive
- 19 karta bankare ndërkombëtare (Visa, Mastercard, American Express), të lëshuara në emër të personave nën hetim
- dokumente bankare dhe transaksionesh financiare me llogari në Emiratet e Bashkuara, Gjermani, Itali dhe Panama
- 1 dron
- 8 hard disqe të markës Hikvision, me kapacitet 6TB secili dhe sende të tjera që i shërbejnë hetimit.


