Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe ai i Lidhjes Demokratike për Kosovën, Isa Mustafa, kanë zhvilluar një takim të shtunën, në të cilin siç thuhet kanë harmonizuar 100% programin e përbashkët qeverisës.
Përmes një njoftimi në faqen zyrtare të Lëvizjes Vetëvendosje në Facebook, theksohet se në fillim të javës së ardhshme do të arrihet marrëveshja përfundimtare mes dy partive që pretendojnë të qeverisin bashkë.
“Sot në orën 13:00, në Kuvendin e Kosovës, u takuan kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, dhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa. Në këtë takim u përmbyll 100% harmonizimi i programit qeverisës duke u pajtuar për të gjitha çështjet e hapura. Nga dy modalitetet e ndryshme për kabinetin qeverisës me 12 ministri, që i kishin ofruar ekipet punuese të dy subjekteve tona, Kurti dhe Mustafa u përcaktuan për verzionin e parë. Në vijim do të përzgjedhen përgjegjësitë në qeverisjen e përbashkët, për çfarë u sqaruan pozicionet dhe kërkesat. Pra, u hap tema dhe u saktësua principi i zgjidhjes, e që përfundimisht do të përmbyllet të hënën me marrëveshje”, thuhet në njoftim.
LVV dhe LDK kanë zhvilluar takime të shumta për harmonizimin e programit qeverisës, fillimisht me anë të grupeve punuese dhe pastaj në nivel liderësh. Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 6 tetor, Lëvizja Vetëvendosje fitoi më së shumti vota pasuar me Lidhjen Demokratike të Kosovës./REL