Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Olaf Scholz do të përpiqen nesër në Paris të rifillojnë bashkëpunimin dypalësh pavarësisht mosmarrëveshjeve, njoftoi Pallati Elysee.
“Pas bisedimeve në Berlin më 3 tetor dhe samitit të Këshillit Evropian më 20 tetor në Bruksel, të dy liderët do të vazhdojnë bisedimet për mbrojtjen, ekonominë dhe energjinë, me qëllim forcimin e bashkëpunimit franko-gjerman”, sipas presidencës franceze.
Macron dhe Scholz do të diskutojnë sfidat e përbashkëta me të cilat Franca dhe Gjermania do të përballen në dekadën e ardhshme, si dhe “mënyrën më të mirë, të unifikuar dhe të bashkuar të përgjigjes” ndaj këtyre sfidave, shtoi Pallati Elysée.
Së fundmi, Franca dhe Gjermania kanë qëndrime të ndryshme për mbrojtjen evropiane, ndaj për nesër është planifikuar një mbledhje e përbashkët e dy qeverive, e shtyrë për disa javë.
Berlini po promovon një projekt të mbrojtjes raketore, duke përfshirë një komponent izraelit. Ai dëshiron që 14 vende evropiane t’i bashkohen një projekti të tillë, duke përfshirë Britaninë e Madhe, vendet baltike, Holandën dhe Finlandën. Parisi, nga ana tjetër, mbetet në plan të dytë dhe mbron projektin e vet me Italinë.
Të dy vendet janë në mosmarrëveshje rreth projektimit të avionit të ardhshëm luftarak të Evropës, me rrezikun që projekti rival i Britanisë Tempest të marrë drejtimin.
Nesër, Macron dhe Scholz do të diskutojnë gjithashtu luftën në Ukrainë, gjithmonë në të njëjtën frymë të mbështetjes së palëkundur për Kievin, shtoi Pallati Elysée.