Presidenti francez Emmanuel Macron refuzonte sot si “qesharake” pretendimet e ministrit rus të mbrojtjes se Ukraina e Franca kanë luajtur rol në sulmin e rëndë terrorist të muajit të kaluar në një sallë koncertesh në Moskë.
Komentet e Macron vijnë një ditë pas një telefonate të rrallë mes ministrave të mbrojtjes së Rusisë e Francës, që sollën me pas raportime kontradiktore në media.
Ministria ruse e mbrojtjes citonte ministrin Sergei Shoigu t’i kishte thënë homologut francez se në lidhje me sulmin se “regjimi i Kievit nuk bën asgjë pa miratimin e shefave perëndimorë” si dhe se “shpresojnë që në sulm të mos jenë përfshirë shërbimet speciale franceze”.
Macron tha se komente të tilla “ishin kërcënuese, dhe kjo nuk është asgjë e re” , teksa fliste me gazetarët në inaugurimin e një pishine sportive për Lojrat Olimpike të Parisit.
Ai shtonte: “Kjo nuk ka lidhje me realitetin. Franca nuk ka lidhje me sulmet në Moskë dhe as Ukraina. Është një manipulim informacioni, dhe kjo është pjesë e arsenalit luftarak të Rusisë”.
Ministria franceze e mbrojtjes ka dënuar sulmet e 22 marsit në qendër të Moskës ku 145 njerëz u vranë në sallën e koncertit në Moskë, në një prej tragjedive më të rëndë në territorin rus prej dekadash.
Deklarata ruse citonte gjithashtu ministrin Shoigu të paralajmëronte Francën kundër dislokimit të trupave ushtarake në Ukrainë, siç ka lënë të kuptohet së fundmi Macron.
Vladimir Putin dhe zyrtarët e tij kanë tentuar të bëjnë lidhjen mes sulmit terrorist dhe Perëndimit.