Autoritetet e Maqedonisë dhe Kosovës po punojnë për të forcuar mes tyre bashkëpunimin në sferën e ekonomisë. Komisioni Parlamentar për Politikë të Jashtme në Shkup i ka dhënë dritë jeshile ratifikimit të marrëveshjes midis dy vendeve për stimulimin dhe mbrojtjen reciproke të investimeve.
Dokumenti i detyron autoritetet maqedonase të krijojnë kushte më të favorshme dhe siguri më të madhe për investitorët kosovarë dhe anasjelltas. Po ashtu, dy palët detyrohen të mos aplikojnë masa diskriminuese për investitorin nga vendi fqinj.
Natasha Deskoska, përfaqësuese e Ministrisë së Jashtme të Maqedonisë, u shpreh: “Kjo marrëveshje është arritur në kuadër të përpjekjeve për thellimin e bashkëpunimit mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Kosovës. Me këtë marrëveshje mundësohet nxitja e investimeve të huaja dhe forcohet bashkëpunimi ekonomik midis të dy vendeve”.
Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski, pret që marrëveshja të nxitë edhe më tepër bashkëpunimin tregtar midis dy vendeve. Ai bëri të ditur se vetëm gjatë vitit 2014 këmbimi tregtar midis Maqedonisë dhe Kosovës ka arritur në rreth 306 milionë dollarë: “Afaristët i shfrytëzojnë mirë mundësitë që dy vendet i ofrojnë. Por, kjo nuk do të thotë se kushtet janë të përkryera dhe nuk duhet më tej të avancohen. Ne më së shumti duhet të punojmë në lehtësimin e procedurave dhe përmirësimin e infrastrukturës”.
Marrëveshja për stimulimin dhe mbrojtjen reciproke të investimeve është firmosur mes Shkupit dhe Prishtinës më 22 janar të këtij viti, ndërsa pritet të hyjë në fuqi muajin e ardhshëm, kur është parashikuar të miratohet edhe nga Parlamenti i Maqedonisë.