Djaloshi shqiptar nga Shkupi, i njohur me nofkën Molos Partini, i cili ka ndihmuar Ismail Morinën për ngritjen e dronit në stadiumin e Partizanit në Beograd, ka kërkuar të mërkurën lirimin e Ballistit nga burgu. Ai kërkesën e tij ia ka drejtuar autoriteteve në Tiranë përmes ambasadës shqiptare në Shkup.
“Ftoj institucionet e shtetit shqiptar që ta lirojnë Ballistin menjëherë që sot. Mos e bëni atë që para një viti ëndërronte ta bënte Serbia. Ndaj lirojeni Ballistin. Ftoj kapitetin e kombëtares shqiptare Lorik Cana, që në emër të tij dhe çunave të kombëtares shqiptare të angazhohen për lirimin e Ballist Morinës”, thotë Partini në letrën e tij.
Ndërkohë, në Tetovë grupi i tifozëve “Ballistët” ka organizuar një peticion dhe ka filluar mbledhjen e firmave për lirimin Ismail Morinës nga burgu.
“Qëllimi i peticionit tonë është që të arrijmë të mbledhim nënshkrimet dhe t’i dërgojmë ato në Shqipëri për lirimin e Ballist Morinës, për të cilin të gjithë e dimë se ka meritën më të madhe për tre pikët që morëm në Beograd”, deklaroi Isak Luma, kryetar i “Ballistëve”.
Siç bëhet e ditur edhe tifozët Kuq e Zi po kërkojnë përmes një peticion lirimin e Ismail Morinës, i cili në prag të ndeshjes midis Shqipërisë dhe Serbisë u arrestua nga policia shqiptare për armëmbajtje pa leje.