Udhëheqësit e 4 partive politike në Shkup janë takuar përsëri këtë të premte, për të diskutuar rreth zgjidhjes së krizës politike. Pas takimit, që zgjati rreth një orë, krerët e VMRO-DPMNE-së, LSDM-së, BDI-së dhe PDSH-së kanë dalë me një deklaratë të përbashkët me shkrim.
Në njoftimin e përbashkët thuhet se, drejtuesit e këtyre subjekteve konfirmojnë përkushtimin e tyre për zbatimin e marrëveshjes së arritur më 2 qershor në Shkup, me ndërmjetësimin e përfaqësuesve ndërkombëtarë, deri në takimin e radhës, që është caktuar të mbahet më 29 qershor.
Marrëveshja e 2 qershorit parashikon zgjedhje të parakohshme deri në prill të vitit të ardhshëm, krijimin e një qeverie kalimtare, e cila do të organizojë edhe zgjedhjet.
Sipas informacioneve jozyrtare, në takimin e radhës, udhëheqësit politikë do të duhet të bien dakord për formimin e qeverisë së tranzicionit, që do të menaxhonte mbajtjen e zgjedhjeve.
Nësë arrihet marrëveshja për zhbllokimin e ngërçit, deputetët e opozitës maqedonase duhet të kthehen në Parlament. Nësë dështojnë bisedimet, LSDM-ja e Zoran Zaevit ka paralajmëruar masa radikale për largimin e Gruevskit nga pushteti.