Katër udhëheqësit e partive kryesore në Maqedoni do të takohen të mërkurën në Bruksel me Komisionerin evropian për Zgjerim, Johaness Hahn, për të diskutuar rreth zgjidhjes përfundimtare për tejkalimin e krizës politike.
Por, procesi i normalizimit të situatës në Maqedoni nuk pritet të jetë i lehtë. Takimin në Bruksel, protestuesit antiqeveritarë e shohin si një mundësi të mirë drejt zgjidhjes së problemit, megjithatë, sipas tyre një gjë e tillë nuk mund të ndodhë pa dorëheqjen e Gruevskit.
“Presim lajme pozitive, por nuk jemi të sigurt nëse do të ketë lajme të tilla. Megjithatë, për sa kohë nuk dëgjojmë që Gruevski ka dhënë dorëheqjen, ne nuk largohemi prej këtu”, tha një protestues.
“Ne këtu po presim lajme pozitive prej 22 ditësh. Këtë po e pret gjithë populli në Maqedoni, i cili dëshiron ndryshime pozitive, që do ta normalizonin përgjithmonë këtë shtet”, tha një tjetër protestues.
Politikanët maqedonas kanë udhëtuar këtë të martë drejt Brukselit me qëndrime krejtësisht të ndryshme. Lideri i LSDM-së opozitare, Zoran Zaev, po kërkon dorëheqjen e kryeministrit dhe organizimin e zgjedhjeve të parakohshme nga një qeveri kalimtare. Por, kjo kërkesë është e papranueshme për Gruevskin. Duke pasur parasysh dallimet, që kanë mes tyre udhëheqësit maqedonas, analistët në Shkup nuk janë optimistë për takimin e së mërkurës.
“Edhe nëse arrihet një marrëveshje, problemi kyç është kush do të qëndrojnë si garant për zbatimin e saj. Është për të ardhur keq që marrëveshjet, që janë arritur mes palëve në Maqedoni sa herë ka ndërhyrë BE-ja, nuk kanë pasur një mbikëqyrje serioze mbi zbatimin e tyre, ndaj dhe kanë dështuar”, tha Shpëtim Nuredini, gazetar.
Përveç udhëheqësve maqedonas, në takimin e Brukselit marrin pjesë edhe krerët e dy partive shqiptare, Ali Ahmeti i BDI-së dhe Menduh Thaçi i PSDH-së. Komisioneri Hahn, javën e kaluar tha se udhëheqësit politikë në Shkup kanë rëndë dakord për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme në Maqedoni, ndërsa në takimin e 10 qershorit në Bruksel, ata pritet ta finalizojnë marrëveshjen për zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni.