Xhamia e Et’hem Beut prej disa kohësh është në proces restaurimi. Ministrja e Kulturës Elva Margariti pohon se pas një pune 2- vjeçare kanë ridalë në pah vlerat, ku sipas saj tani po punohet te pikturat murale. “Pas restaurimit të çatisë, ka nisur puna për çmontimin e strukturës mbuluese të xhamisë? së Et’hem Beut, e ngritur për efekt sigurie dhe mbarëvajtje të procesit. Tanimë, ky monument-simbol i kryeqytetit po rimerr pamjen e mëparshme, por edhe më e bukur. Ndërkohë, specialistët po i japin dorën e fundit restaurimit të pikturave murale. Pas përfundimit të ambienteve të brendshme dhe hajatit, po punohet në fasadën e jashtme. Pas një pune 2-vjeçare kanë ridalë në pah vlerat e vërteta të këtij monumenti”, shprehet mes të tjerave ministrja e Kulturës që shkruan TIKA Tiranë. Xhamia e Et’hem Beut, është një xhami historike dhe monument kulture në mes të Tiranës, e cila nisi të ndërtohej nga stërnipi i Sulejman Pashës, Molla Beu i Petrelës rreth 1793 dhe e përfundoi i biri, Haxhi Et’hem Beu më 1238 H (1822/1823). Në kohën që është ndërtuar xhamia bënte pjesë në kompleksin e ndërtimeve, që përbënin qendrën e Tiranës. Përballë saj ndodhej pazari, pranë saj kulla e sahatit që është pjesë e pandarë, në lindje xhamia e Sulejman Pashës 1614, në veri perëndim xhamia e Karapicëve. Xhamia e Et’hem Beut përbëhet nga salla e lutjeve, portiku që e rrethon atë nga lindja dhe veriu, si dhe minarja. Salla e lutjeve ka planimetri katrore dhe është ndërtuar me vëllim unik mbuluar me kupolë. Hyrja për në sallën e lutjeve është në anën veriore. Kupola është gjysëm sferike dhe pa dritare. Portiku mbulohet nga një çati me konstruksion druri dhe tavan të rrafshët dërrasash. Minarja ndodhet në të djathtë të sallës së lutjeve dhe lidhet me të në dy nivele, në dyshemenë e sallës dhe atë të mafilit. Pjesa e poshtme e minares është me seksion drejtkëndësh. Mbi të vjen një pjesë e ulët trung piramide shumë faqëshe. Mbi këtë, me një kornizë që ndjek ritmin e pjesës së sipërme fillon trupi i minares, i cili shkon deri tek kazani, duke u ngushtuar lehtazi. Shkallët brenda minares janë helikoidale prej gurësh dhe ndriçohen nga dritare të vogla si frëngji.