Lidhjet mes dy ekonomive më të mëdha në botë janë dëmtuar në vite ndërsa administrata Biden ende nuk ka sinjalizuar nëse është e gatshme të ndryshojë qëndrimin e vijës së ashpër të ndërmarrë nga administrata e ish-presidentit Donald Trump. As Kina nuk ka sinjalizuar nëse është e gatshme të lehtësojë presionin që ka sjellë në këto marrëdhënie. Në këto kushte, takimi i parë i drejtpërdrejtë i së enjtes pritet të jetë i debatueshëm.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken dhe këshilltari i sigurisë kombëtare Jake Sullivan do të takojnë në Anchorage të Alaskës dy diplomatët kryesorë të Kinës, Këshilltarin e Shtetit Wang Yi dhe shefin e punëve të jashtme të Partisë Komuniste Kineze Yang Jiechi. Në takim parashikohen diskutime të vështira rreth tregtisë, të drejtave të njeriut në Tibet, Hong Kong, rajonin perëndimor Xinjiang të Kinës, Tajvanin, agresionin e Kinës në Detin e Kinës Jugore dhe pandeminë e koronavirusit.
Nga takimi nuk pritet të arrihet asnjë marrëveshje.
“Ky vërtetë është vetëm një takim,” tha një zyrtar i lartë i administratës. “Ky nuk është rifillimi i një mekanizmi të veçantë dialogu apo fillimi i një procesi dialogu”, u tha zyrtari gazetarëve përpara takimit në kushte anonimiteti.
Sekretari Blinken do të marrë pjesë në takim ndërsa sapo është kthyer nga Japonia dhe Koreja e Jugut, ku ai dhe Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin riafrimuan angazhimin e administratës Biden për aleatët e Shteteve të Bashkuara në Azi.
Vetëm një ditë para takimit, Blinken njoftoi sanksione të reja ndaj zyrtarëve kinezë që kanë patur gisht në shtypjen e mbështetësve pro-demokracisë në Hong Kong. Si përgjigje, Kina shtoi retorikën e saj duke kundërshtuar atë që ajo e quan ndërhyrje amerikane në punët e brendshme.
Kina, ashtu siç pritej, hodhi poshtë kritikat e Shteteve të Bashkuara ndaj masës për t’i dhënë një komiteti pro-Pekinit pushtet për të caktuar më shumë ligjvënës në Hong Kong, gjë që zvogëlon përqindjen e atyre që zgjidhen drejtpërdrejt nga populli dhe siguron që vetëm ata që janë vërtetë besnikë ndaj Pekinit lejohen të kandidojnë për poste drejtuese – duke përjashtuar në mënyrë efektive figurat e opozitës nga procesi politik.
Vendosja e sanksioneve “ekspozon plotësisht qëllimin keqdashës të palës amerikane për të ndërhyrë në punët e brendshme të Kinës, shkakton tronditje në Hong Kong dhe pengon stabilitetin dhe zhvillimin e Kinës”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Zhao Lijian të mërkurën.
Shtëpia e Bardhë ka pritshmëri të ulëta për takimin e zotit Blinken dhe zotit Sullivan, që zyrtarët thonë se do të jetë një mundësi fillestare për të adresuar mosmarrëveshjet e ashpra.
Zyrtari i lartë i administratës i cilësoi bisedimet si një shans për të dy palët për të “vlerësuar” marrëdhënien mes tyre. Zyrtari tha se të dyja palët nuk do të jepnin një deklaratë të përbashkët pas takimit dhe se nga bisedimet nuk pritet të dalë ndonjë njoftim i rëndësishëm.
Në komentet e tij për mediat kineze të mërkurën, Ambasadori i Kinës në SHBA minimizoi gjithashtu pritshmëritë për takimin e Alaskës, ndërsa shfaqi shpresat se takimi do të hapte rrugën për një komunikim më të mirë.
Sekretari Blinken, në Japoni përpara se të nisej për në Korenë e Jugut dhe më pas në Alaska tha se Shtetet e Bashkuara “do të përgjigjen në se është e nevojshme kur Kina të përdorë forcën apo agresionin për të realizuar synimet e saj”
“Marrëdhënia me Kinën është një marrëdhënie shumë komplekse,” tha ai. “Ajo ka aspekte konfliktuale; ka aspekte konkurruese; ka aspekte bashkëpunimi. Por emëruesi i përbashkët në trajtimin e secilës prej këtyre aspekteve është të sigurohemi që po i afrohemi Kinës nga një pozicion i forcës dhe se forca fillon me aleancën tonë, me solidaritetin tonë, sepse është me të vërtetë një pasuri unike që ne e kemi dhe Kina nuk e ka”, tha sekretari Blinken.
Të mërkurën në Kombet e Bashkuara, ata kritikuan Shtetet e Bashkuara për gjendjen e të drejtave të njeriut, duke përmendur ato që ata i quajtën dështime të SHBA-ve në luftën kundër COVID-19 që solli humbjen e “qindra mijëra jetëve”, si dhe diskriminimin racor, brutalitetin policor dhe një “të kaluar të keqe të gjenocidit”.
Jiang Duan, këshilltar në misionin kinez në Gjenevë, shprehu kritikat në fund të një vlerësimi të të dhënave për të drejtat e njeriut të SHBA-ve në Këshillin e të Drejtave të Njeriut në OKB.
Administrata Biden ka zhvilluar një seri bisedimesh me aleatët e Paqësorit, përfshirë samitin virtual të presidentit Biden me udhëheqësit e Katërshes – Australinë, Indinë, Japoninë dhe Shtetet e Bashkuara – përpara se të përfshihej në bisedime të nivelit të lartë me Kinën.
Trump ishte krenuar me atë që e shihte si një marrëdhënie të fortë me Xi Jinping-un. Por marrëdhënia u përkeqësua pasi pandemia e koronavirusit u përhap nga provinca Wuhan anembanë globit dhe solli një katastrofë shëndetësore publike dhe ekonomike.
Përveç përgjigjes ndaj agresivitetit të Kinës në Indo-Paqësor dhe çështjes për të drejtat e njeriut, Presidenti Biden përballet me çështje të tjera delikate në marrëdhënien me Kinën.
Por deri tani, ai ka refuzuar të heqë tarifat prej qindra miliarda dollarësh të vendosura nga ish presidenti Trump kundër Kinës ose të heqë ndalimet për aplikacionet kineze të teknologjisë.
Sidoqoftë, presidenti Biden po kërkon bashkëpunimin e Kinës për t’i bërë presion Kim Jong Un-it të Koresë së Veriut lidhur me programin bërthamor të vendit të tij./voa/