Policia e Tiranës ka ndaluar pasditen e së shtunës 16 persona, disa prej të cilëve administratorë të kompanive farmaceutike, nën akuzën e përfitimeve të paligjshme.
Burime zyrtare bëjnë të ditur se, ndalimi i personave në fjalë është bërë me urdhër të Prokurorisë së Tiranës dhe se mes tyre ka edhe zyrtarë të strukturave shëndetësore shtetërore.
Sipas një komunikate për shtyp të shpërndarë nga organi i akuzës së kryeqytetit, të ndaluarit dyshohen për përfshirje në një skemë të madhe mashtrimi, në krye të së cilës qëndron shtetasi Nadir Çausholli, administrator i depos farmaceutike “Omega Pharma”.
Sipas njoftimit zyrtar, objekti i hetimit fillimisht ka pasur të bëjë me rimbursimin e vlerës së medikamenteve, përsa i përket recetave të lëshuara nga 4 subjekte farmaceutike, dy prej të cilave të vendosura në lokalitetet Lundër dhe Bërxhitë, ndërsa të tjera të identifikuara si “Nutrimed 2012” dhe “Adelina”.
Përveç farmacive të sipërcituara, objekti i hetimit të këtij procedimi është zgjeruar edhe tek aktiviteti i disa farmacive të tjera, të cilat rezultojnë të kenë përfituar vlera të larta rimbursimi përsa i përket medikamenteve, çmimet e të cilave rimbursohen nga shteti.
Për këtë arsye, mes personave të ndaluar ka edhe zyrtarë të Fondit të Kujdesit Shëndetësor Rajonal, të dyshuar për përfshirje në këtë skemë mashtrimi.
Mësohet se farmacitë e hetuara furnizoheshin me ilaçin Ketosteril nga “Pharma Group” dhe pasi lëshonin receta fiktive për shitjen e tij i depozitonin ato pranë Fondit, për të marrë rimbursimin.
Nga hetimet ka rezultuar se veprimtaria e dyshimtë e shtetasit Çausholli është mbështetur edhe nga shtetasit Fisnik Kollçaku, drejtues teknik i “Omega Pharma” gjatë vitit 2014; Valbona Kraja, shefe e financës; si dhe Arjola Pipera.
Ndërkohë, të ndaluarit e tjerë janë shtetasit: Ela Malaj, Mariela Përnoci, Arbi Teqja, Arbër Thereska, Erind Hajdari dhe Ornela Plepi, të gjithë administratorë dhe drejtues teknikë të disa farmacive.
Ndërsa shtetasja Violeta Bejko është shoqëruar në cilësinë e magazinieres së Fondit të Kujdesit Shëndetësor. Ajo dyshohet se nuk ka administruar në mënyrën e duhur lëvizjen e materialeve që hynin në magazinën e institucionit.
Gjithashtu, ajo nuk ka bërë shpërndarjen e recetave në përputhje me procedurën e rregullt ligjore. Po nga ky institucion janë shoqëruar edhe shtetasja me inicialet E.P, me detyrë shefe e sektorit të info-statistikës, si dhe Tasim Toçi, i cili firmoste dokumente pa pasur asnjë tagër.