Ka mbërritur në Turqi grupi i dytë i efektivëve të Forcave të Armatosura, pjesë e skuadrës së kërkim shpëtimit pas tërmetit katastrofik të 6 Shkurtit.
Kryeministri Edi Rama njoftoi se efektivët e ushtrisë shqiptare kanë mbërritur gjatë ditës së sotme ndërsa ka shpërndarë edhe disa foto nga zbritja e tyre në aeroport.
“Sapo mbërriti në Stamboll edhe grupi i dytë i efektivëve të Forcave të Armatosura pjesë e skuadrës së kërkim – shpëtimit”, njoftoi Rama.
Kujtojmë që në Turqi ka shkuar më herët një grup tjetër i skuadrës shqiptare të kërkim shpëtimit, të cilët prej paradites së djeshme janë vendosur në Malatya.
Koloneli Elton Reso, i cili është komandanti i efektivëve të misionit të Forcave të Armatosura në ndihmë të popullit turk, ka treguar një ditë më parë se ekipi shqiptar shpëtoi nga rrënojat një fëmijë 4-vjeçar.