Mbi 98.000 rusë kanë hyrë në Kazakistan prej thirrjes për mobilizim

Rreth 98.000 rusë kanë hyrë në Kazakistan këtë javë, prej kur presidenti rus, Vladimir Putin, ka bërë të ditur mobilizimin e pjesshëm të rezervistëve për të luftuar në Ukrainë, kanë thënë zyrtarët kazakë.

Shumë burra po tentojnë të ikin nga shteti drejt shteteve fqinje, pas vendimit të Putinit.

Kazakistani dhe Gjeorgjia, të dyja vende të ish-Bashkimit Sovjetik, kanë rezultuar të jenë destinacionet më të shpeshta të rusëve.

Ata po i kalojnë në këto dy shtete përmes makinave, biçikletave, apo edhe në këmbë.

Ata që kanë viza valide drejt Norvegjisë dhe Finlandës, kanë marrë edhe rrugët drejt tyre.

Biletat për fluturime me aeroplanë janë shitur shpejt, pavarësisht rritjes së madhe të çmimeve.

Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë se do të thirren rreth 300.000 persona me përvojë paraprake ushtarake, mirëpo ka raportime se numri mund të shkojë në 1 milion.

Këto raportime kanë rritur shqetësimet mes rusëve, andaj ata kanë marrë rrugë për të ikur nga shteti.

Ministri i brendshëm kazak, Marat Akhmetzhanov, ka thënë se autoritetet nuk do t’i kthejnë në shtëpi rusët, përveç nëse ka fletarreste ndërkombëtare për ta.

Presidenti kazak, Kassym-Jomart Tokayev, i ka kërkuar Qeverisë së tij që t’iu ndihmojë rusëve që po kalojnë kufirin “për shkak të situatës së pashpresë”.

“Ne duhet të kujdesemi për ta dhe të garantojmë sigurinë e tyre. Kjo është çështje politike dhe humanitare. I kam kërkuar Qeverisë që të marrë masat e nevojshme”, ka thënë Tokayev, duke shtur se Kazakistani do të bisedojë me Rusinë për këtë temë.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.

Vetë Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Leave a Reply