Grupi parlamentar i Partisë Demokratike është mbledhur ditën e sotme në selinë blu. Gazetari i Klan News, Enkel Xhangoli raporton se në fokus të kësaj mbledhje do të jetë vijimi i aksionit në Kuvend, si dhe masat për protestën e thirrur më 7 Tetor.
Akoma nuk është vendosur nëse do të jetë i njëjti skenar i opozitës si ai i seancës të kësaj të hëne që u shoqërua me veprime të dhunshme dhe vijoi me djegien e karrigeve. Deputetët e PD-së kanë paralajmëruar herë pas here se nuk do të lejojnë zhvillimin e asnjë seance plenare.
Në orën 15:00 do të mblidhet Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën që do të vendosë lidhur me kërkesën e PS-së për përjashtimin e 24 deputetëve të Partisë Demokratike pas kaosit në seancën e 30 Shtatorit.
Vendimi i opozitës për të mosbindje dhe bojkot të jetës parlamentare ka ardhur pas dënimit me 1 vit burg të Ervin Salianjit në lidhje me çështjen “Babale”. Opozita nuk e pranon vendimin e gjykatës, të cilin e cilëson politik dhe të diktuar nga mazhoranca.