Aktori Alec Baldwin nuk do të hetohet më për vrasjen aksidentale që ndodhi në xhirimet për filmin Rust.
Një gjykatë në Nju Meksiko e hodhi poshtë akuzën e vrasjes së pavullnetshme dhe aktori Alec Baldwin nuk do të akuzohet më për këtë çështje.
Pas mbylljes së këtij hetimi, aktori shpërtheu në lot nga gëzimi. Kjo është hera e dytë që pushohet çështja kundër aktorit Alec Baldwin. Ky i fundit nuk do të gykohet më.
Avokatët e aktorit pretenduan se prokurorët dhe policia fshehën provat dhe se ka patur probleme me trajtimin e provave në skenën e krimit.
Dy ditë më parë, në gjyqin për këtë çështje, dolën në dritë prova të reja se përse në sheshxhirim ishin vendosur plumba të vërtetë pistolete.
Një ekspert i skenës së krimit i tha gjykatës se një burrë i quajtur Troy Treske, oficer policie i dalë në pension, kishte dorëzuar në sheshxhirim municion të vërtetë që mund të lidhej me rastin. Rezulton se Troy Treske është mik me njerkun e Hannah Gutierrez-Reed, punonjësja e rekuizitave në sheshxhirim, e cila në fillim të këtij viti u dënua për vrasje të pavullnetshme.