Mbeten ende enigmë shkaqet e fundosjes së jahtit në brigjet e Siçilisë, ku humbën jetën gjashtë persona si dhe rezultojnë akoma të zhdukur edhe dy të tjerë.
Por, Giovanni Costantino, prodhuesi që ka ndërtuar jahtin, në një deklaratë u shpreh se ekuipazhi kishte 16 minuta për të paralajmëruar pasagjerët pasi anija ishte tërhequr zvarrë nga spiranca përpara se të fundosej. Ndryshe nga çfarë deklaruan shkencëtarët dhe ekspertë të ndryshëm, ku shpreheshin se jahti u fundos brenda 60 sekondash, ai këmbënguli se procesi i mbytjes nuk ishte aq i menjëhershëm.
“Tortura zgjati 16 minuta. Varka nuk u fundos në asnjë minutë siç kanë thënë disa shkencëtarë”, tha ai për mediat e huaja.
Costantino zbuloi gjithashtu në një intervistë se kishte gabime të shumta njerëzore që çuan në tragjedi, si për shembull fakti që kapakët ishin të hapura dhe kavilja e varkës nuk u ul plotësisht. Ai këmbënguli se fatkeqësia ishte e parandalueshme.
Çfarë ka ndodhur?
Për shkak të motit të keq që goditi zonën e Palermos, një jaht luksoz rreth 50 metra u mbyt rreth orës 5 të mëngjesit në shtrirjen e detit përballë Porticello në provincën e Palermos. Mjeti lundrues mbante një flamur britanik, ndërsa në bord ndodheshin në total 22 persona, 10 anëtarë të ekuipazhit dhe 12 pasagjerë. Mes tyre amerikanë kanadezë dhe të tjerë.
Kërkimi për të zhdukurit nxorrën 6 trupat e pajetë, teksa dy rezultojnë të zhdukur ende. Ndërkohë, mes pasagjerëve të shpëtuar është edhe një vajzë e vogël dhe nëna e saj që ndodhen në spitalin e fëmijëve në Palermo. Babai është dërguar në spitalin Qytetar ndërsa 5 persona të tjerë ndodhen në pikën e urgjencës territoriale të Bagherias. Në zonën ku ndodhi aksidenti u dërguan disa helikopterë. Për të vazhduar kërkimet ka mbërritur edhe helikopteri i zjarrfikësve që u largua nga Katania. Hetimet për aksidentin po kryhen nga Autoriteti Portual.