Me 94 vota pro, Parlamenti voton për hapjen e plotë të dosjeve dhe deklasifikimin e tyre

Parlamenti ka votuar me 94 vota pro, 1 abstenim, asnjë kundër projektligjit për hapjen e plotë të dosjeve të Sigurimit të Shtetit. Në seancën plenare ishin të pranishëm 98 deputetë.

Votimit i parapriu një debat i gjatë, teksa mazhoranca nga propozimi fillestar për shfuqizimin e pikës 4 të nenit 29 të ligjit nr. 45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, pranoi dhe propozimin e grupit të drejtuar nga Enkelejd Alibeaj për të drejtën e çdo qytetari për t’u njohur me dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe të kërkojë një kopje të tyre. Alibeaj e konsideroi draftin e dakordësuar si një hap historik për hapjen e plotë të dosjeve.

Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij para votimit ftoi edhe pjesën tjetër të deputetëve demokratë që të votojnë draftin për të bërë të mundur që edhe personalitetet e larta që kanë marrë një vërtetim për pastërtinë e figurës të mund të verifikohen sërish.

Sipas deputetit demokrat, Oerd Bylykbashi varianti i dakordësuar mes palëve në Kuvend nuk sjell asgjë të re pasi nuk bën lustracionin. I pranishëm në votim ishte dhe ish-kreu  i PD Lulzim Basha.

Në seancën plenare u vu re mungesa e kryetarit të Partisë Demokratike Sali Berisha dhe deputetëve mbështetës së tij.

Propozimi i grupit parlamentar të PS

Në ligjin nr. 45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, të ndryshuar, bëhet ndryshimi si vijon: Pika 4, e nenit 29, shfuqizohet.

Neni 29 “Kërkesa për informim mbi zyrtarë përpara emërimit ose ngritjes në detyrë: … 4. Autoriteti nuk administron kërkesat për informacion për zyrtarët që propozohen të emërohen ose ngrihen në detyrë në institucionet kushtetuese dhe autoritetet publike kur ata kanë marrë certifikatën e pastërtisë së figurës nga institucionet përgjegjëse, sipas ligjit nr. 8001, datë 22.9.1995, “Për gjenocidin dhe krimet kundër njerëzimit kryer në Shqipëri gjatë sundimit komunist për motive politike, ideologjike dhe fetare “, si dhe ligjit nr. 8043, datë 30.11.1995, “Për kontrollin e figurës se zyrtareve dhe personave te tjerë që lidhen me mbrojtjen e shtetit demokratik “

Propozimi i grupit të drejtuar nga Enkelejd Alibeaj

Në nenin 20 ··Garantimi i të drejtës për informim”. Pas pikës 1. shtohet pika 1/1 me përmbajtje si më poshtë: Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, Autoriteti  për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit ka detyrimin të publikojë bibliografinë e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë për periudhën 29 Korrik 1944 deri më 2 korrik 1991, të deklasifikuara plotësisht sipas këtij ligji. Çdo person gëzon të drejtën të njihet me dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe të kërkojë një kopje të tyre, në përputhje me ligjin për të drejtën e informimit.

Leave a Reply