Kritiku i hapur i Kremlinit, Aleksei Navalny, i cili është aktualisht në Gjermani, ka njoftuar se planifikon të kthehet në Rusi.
Navalny me anë të një shkrimi në Twitter ka njoftuar se, më 17 janar do të kthehet në vendlindje.
“Çështja nëse ‘do të kthehem apo jo’ nuk qëndron te unë. Thjesht sepse nuk u largova. Unë përfundova në Gjermani, pasi kisha mbërritur nën kujdesin intensiv. Më 17 janar, e diel, do të kthehem në shtëpi. Ejani të më përshëndetni”, njofton Navalny.
Njoftimi i tij vjen një ditë pasi Shërbimi Federal i Burgjeve i Rusisë (FSIN), ka kërkuar që Navalny të zëvendësojë dënimin me kusht në çështjen Yves Rocher me burgim efektiv.
Përpjekjet e mëparshme të FSIN-it për të rrëzuar dënimin me kusht të Navalnyit dhe burgimin e tij, ishte refuzuar nga një gjykatë në Moskë në vitin 2017.
Navalny u sëmur gjatë një fluturimi nga Tomsk për në Moskë, në gusht të vitit 2020 dhe u vendos në një gjendje kome në një spital në Siberi, para se të transferohej në në Gjermani.
Testet laboratorike të kryera në Gjermani, Francë dhe Suedi kanë vërtetuar se Navalny ishte helmuar me një agjent nervor të klasës Novichok, një rezultat i konfirmuar edhe nga Organizata Ndërkombëtare për Ndalimin e Armëve Kimike.
Pas helmimit të tij, Bashkimi Evropian vendosi sanksione ndaj gjashtë zyrtarëve rusë dhe një instituti kërkimor shtetëror.
Autoritetet ruse kanë pretenduar se asnjë gjurmë helmi nuk është gjetur në trupin e Navalny, para se ai të transferohej në Gjermani, dhe kanë refuzuar të hapin një hetim penal për incidentin.
Navalny ka akuzuar presidentin Vladimir Putin, për urdhërimin e helmimit, një pretendim i hedhur poshtë nga Kremlini.